Vlorë: Objektet historike, sërish probleme me infrastrukturën e tyre

82

kisha e marmiroitInfrastruktura rrugore që lidh disa prej objekteve me vlerë kulturore, historike e arkeologjike në rrethin e Vlorës, vazhdon të jetë në një gjendje problematike dhe pritet të ndikojë edhe gjatë këtij sezoni turistik. Kryetari i Shoqatës së Turizmit Shqiptar për rajonin e Vlorës, Vasil Bedini, thotë për ATSH-në se, sikurse edhe vitet paraardhëse, “kjo do të ndikojë në shkallën e shfrytëzimit të tyre dhe përfshirjen në skemën e resurseve aktive në funksion të zhvillimit të turizmit”.Bedini, që e ka trajtuar edhe vitin e kaluar këtë shqetësim, thekson se, masat e marra në këtë drejtim kanë qenë minimale, pavarësisht disa investimeve të kryera, duke bërë përgjegjëse qeverisjen vendore. “Mjaft nga objektet me vlerë në fushën e trashëgimisë kulturore, historike e arkeologjike, vazhdojnë të kenë probleme me infrastrukturën rrugore, si dhe me gjendjen e tyre, gjë që na ka vënë në vështirësi me planifikimin e paketave me agjencitë turistike të huaja partnere”, nënvizon ai. Bedini, që është edhe një nga operatorët më të njohur në fushën e turizmit në Vlorë.Objekte historike ne Vlore Foto Harilla Koçi.
Ai thekson se kjo gjendje është prezantuar disa herë pranë strukturave përkatëse të monumenteve të kulturës dhe qeverisjes vendore, por pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar, ose ka ndryshuar shumë pak. Mes tyre ai veçon kalanë e Kaninës, një nga objektet më me vlerë në këtë drejtim, e cila ka një infrastrukturë rrugore krejt të papërshtatshme. “Kalaja e Kaninës përfshihet në paketën njëjavore që ofrojnë operatorët vlonjatë për turistët e huaj dhe që është një objekt që vizitohet me mjaft interes për pozicionin gjeografik dhe historinë e vet, por për të shkuar atje aktualisht është mjaft e vështirë për shkak të dëmtimit të një pjese të rrugës në një gjatësi prej disa dhjetra metrash”, thotë Bedini. Krahas kësaj edhe në ndonjë objekt tjetër, si ishulli, manastiri dhe kisha e Zvërnecit, 8 km në perëndim të qytetit të Vlorës, ka probleme me gjendjen brenda territorit.

Situata vazhdon të jetë problematike edhe me objekte të tjera, sikundër është qyteza antike e Amantias, ku një segment rrugor prej disa qindra metrash është tërësisht i amortizuar. Po ashtu, për shkak të mungesë së rrugës është e pamundur për të shkuar në Kishën e Marmiroit, një nga objektet e kultit unikale në Shqipëri për arkitekturën e ndërtimit, që ndodhet në territorin që administrohet nga Bashkia e Orikumit. “Këto probleme i kemi prezantuar edhe tek drejtuesit e Këshillit të Qarkut dhe të njësive të qeverisjes vendore që administrojnë këto objekte, por realiteti tregon se masat e marra kanë qenë minimale”, shprehet kryetari i Shoqatës së Turizmit Shqiptar për rajonin e Vlorës. Sezoni turistik nuk është larg dhe nga këto shqetësime, operatorët turistikë lokalë humbasin vlera të konsiderueshme monetare.

*Harilla Koçi