Vjedhja nëpërmjet TVSH-së, bashkëpunim i Ministrisë së Financave me Tatimet dhe Doganat

58

zyra_anti_korrupsion_ne_univerBurime nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës saktësojnë se është zbardhur skema e mashtrimit me TVSH-në, ku Ministria e Financave në bashkëpunim me Drejtorinë tatimore dhe me Doganën shqiptare kanë grabitur miliona lekë si rimbursim i vlerës së shtuar, raporton Shekulli.

Sipas këtyre burimeve, kanë qenë 11 kompani kineze të cilat nuk kanë qenë aktive që nga viti 2010. Këto kompani janë blerë më pas nga dy shqiptarë, më datën 10 gusht të këtij viti. Vetëm 14 ditë më vonë këto kompani kanë marrë miliona lekë si rimbursim i tatimit të vlerës së shtuar. Kjo skemë dyshuese ka zbuluar se janë të përfshirë në këtë grabitje zyrtarë të doganave si edhe të Ministrisë së Financave.

Shuma e grabitur është 515 455 275 lekë dhe në të janë përfshirë ish Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtorisi dhe tre inspektorë kontrolli. Për të gjithë këta është kryer pezullimi nga detyra. Gjithashtu, në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private të cilat pas përfitimit të rimbursimeve kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Sipas burimit të akuzës, 8 persona të dyshuar janë akuzuar për veprën penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal. Ndërkohë procesi hetimor është në vazhdim dhe veprime të tjera hetimore janë duke u kryer për zbardhjen e plotë të autorëve të skemës mashtruese.