Vihet në funksionim sistemi i informimit Shengen (SIS-II)

211
Komisioni Europian/foto Albaniaplus
Komisioni Europian/foto Albaniaplus

Komisioni Europian, deklaroi vënien në funksion të Sistemit të Informimit Shengen, SIS-II. Ky sistem synon  përforcimin e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit të lirë në gjirin e hapësirës Shengen. Gjithashtu, ai thjeshtëson shkëmbimin e informacionit, midis autoriteteve kombëtare të ngarkuara për kontrollimin e kufijve, autoriteteve doganore dhe policore. SIS-II, është një sistem më i sofistikuar dhe do të zëvendësojë SIS-I, brenda një harku kohor prej një muaji.

Përgjatë një komunikimi për shtyp të Komisionit Europian, Cecilia Malmström, Komisionerja Europiane e ngarkuar për çështjet e Brendshme, u shpreh se: ’Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj se SIS-II, hyn që sot në funksion. Me bashkëpunimin e kolegëve të mi në Këshill dhe Parlament, arrita të mbyll me sukses, fazën e zhvillimit të projektit. Kam trashëguar një dosje të vështirë dhe nuk ka qenë e lehtë rivënia e këtij projekti mbi shina, por vullneti ynë, na lejoi të tejkalonim vështirësitë e rëndësishme. Ne mund të kalojmë aktualisht në fazën e vendosjes në praktikë, e cila do jetë e mbikëqyrur nga agjencia e re, eu-LISA’’

Ndërsa Krum Garkov, drejtor ekzekutiv i agjencisë europiane për administrimin operacional të sistemeve të informimit në shkallë të gjerë, në fushën e lirisë, të sigurisë dhe drejtësisë (eu-LISA), deklaroi se: ’’ Ne jemi gati të ndërmarrim fazën e administrimit operacional të SIS-II. Ne punojmë ngushtësisht me Komisionin dhe Shtetet Anëtare, me qëllim sigurimin e një tranzicioni pa probleme drejt administrimit të sistemit, duke i furnizuar Shtetet Anëtare me një shërbim 24 orë në 24 dhe 7 ditë në 7, dhe duke kontribuar në përpjekjet e gjëra, në favor të një Europe më të sigurt.’’

Fshirja e kontrolleve në kufijtë e brendshëm, konfirmon rolin thelbësor të sistemit të informacionit Shengen, të brezit të dytë (SIS-II), për sa i përket thjeshtësimit të qarkullimit të lirë të personave, në gjirin e hapësirës Shengen. SIS-II, është gjenerata e dytë e sistemit të informacionit Shengen, e përdorur që prej 1995 ; funksionalitetet e saj janë perfeksionuar: mundësi për të futur të dhëna biometrike (gjurmë gishtërinjsh dhe fotografi); tipe të reja sinjalizimesh (për sa i përket sistemit ajror, atij detar, kontejnerëve, apo automjeteve të vjedhura), mundësi për të ndërlidhur sinjalizime të ndryshme (p.sh, sinjalizimi i një personi dhe i një makine). SIS-II do të përmbajë gjithashtu, kopje të mandat-arresteve europiane, të lidhura direkt me sinjalizimin e personave të kërkuar me synim arrestimin, dorëzimin, apo ekstradimin e tyre, çka do i lejojë autoriteteve kompetente, të sigurojnë një ndjekje të nevojshme, në mënyrë të thjeshtë dhe më të shpejtë.

SIS-II, siguron një mbrojtje solide të të dhënave. Aksesi në SIS-II, është limituar vetëm për autoritetet policore dhe doganore, autoritetet e drejtësisë, autoritetet e ngarkuara me respektimin e kufijve, shqyrtimit të kërkesave për viza dhe imatrikulimin e mjeteve në shtetet anëtare. Cilido person, ka të drejtë të konsultojë të dhënat, që kanë lidhje me të dhe që janë futur në SIS-II; ai mund ti kërkojë gjithashtu, autoritetit kombëtar, kompetent të korrigjojë ose të fshijë informacionet me karakter personal, që i përkasin. Çdo person, ka mundësi gjithashtu të ndërmarrë një veprim juridik, për të pasur akses në të dhënat e tij, të korrigjojë apo fshijë apo për të marrë informacione, ose një dëmshpërblim për arsye të një sinjalizimi, që ka lidhje me të. (Pra, kur kemi të bëjmë me raste, kur informacionet nuk janë të azhurnuara, apo ndonjë gabimi, që mund të ndodhë në hedhjen e të dhënave në sistem. shën.autori)

Autoritetet kombëtare të survejimit dhe kontrolluesi europian, i mbrojtjes së të dhënave, bashkëpunojnë në mënyrë të ngushtë, me synim të sigurojnë, një survejim të koordinuar të SIS-II.

Konteksti

SIS-II, është një sistem i avancuar informacioni, i përbërë nga tre elementë: një sistem qendror, sistemet kombëtare të hapësirës Shengen dhe një infrastrukturë komunikimi midis sistemit qendror dhe sistemeve kombëtare.

Në fund të muajit shkurt 2013, angazhimet buxhetore të plotësuara nga Komisioni për projektin SIS-II, që prej 2002, arrijnë në shumën totale prej 167. 784. 606 EUR.

Zhvendosja e të dhënave nga SIS-I, në SIS-II, do të përfundojnë në krye të një periudhe kontrolli intensiv (hark kohor një mujor), përgjatë të cilës si SIS-I, po ashtu dhe SIS-II do të vazhdojnë të bashkë-ekzistojnë dhe të funksionojnë në mënyrë të sinkronizuar.

Duke filluar nga 9 maji 2013, agjencia informatike (eu-LISA) do të marrë përgjegjësinë e administrimit të përditshëm të sistemit qendror.

Imelda Tasho