Urimi special i Sonila Alushit nga Italia

17

Gëzuar Ditën e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Gëzuar të gjithëve pa përjashtim. Gëzuar edhe atyre që më kanë hedhur baltë, që më kanë fyer, që me kanë akuzuar për mungesë atdhedashurie meqënëse përdor më së shumti gjuhën e vendit tim të bukës (në shkrimet dhe ndërhyrjet e mia publike), duke mos kuptuar ose duke mos dashur të kuptojnë një fakt shumë të thjeshtë: që promovimin dhe njohjen e kulturës time të origjinës, të pasurive të saj, të mirësive që e karakterizon popullin tim, nuk do të mund ta bëja dot kurrë në gjuhën mëmë, në një gjuhë që flasim vetem ne; që gjuhën time të dashur e që mua më tingëllon ëmbël edhe kur nxehem, nuk e ofendon italishtja ime e mirë, përkundarzi. Gëzuar atyre që e masin zemrën time me sytë e tyre të vegjël e gati të qërruar nga kryeneçësia, duke mos parë dot sa vend ka aty edhe për çerdhen e zogjve të mi; se ta duash çerdhen e re nuk do të thotë, për mua, të mos duash më atë ku më sollën në jetë prindërit e mi. Gëzuar edhe atyre shqiptarëve që shumë herë kanë tentuar të më sabotojnë punën e disa herë ja kanë arritur qëllimit duke fantazuar se po dhjamosesha me dy groshët e një projekti. Gëzuar atyre që më lanë vetëm edhe kur kauza për të cilën luftoja ishte dhe kauza e tyre. Gëzuar atyre shqiptarëve që më kanë bërë qepaze, duke fshehur gojën me duar, sapo kam kthyer kurrizin. Gëzuar edhe atyre shqipëtarëve që nuk patën kurrë guximin të më bënin dëm, por kanë fërkuar duart, me mollëzat që i kuqoseshin nga kënaqësia, ndërkohë që dëmin ma bënte dikush tjetër. Gëzuar ish miqve që darkoseshin me armiqtë e mikut dhe e shisnin këtë pabesi si dipllomaci. Gëzuar edhe atyre shqiptarëve që janë kail edhe t’i thyejnë këmbët kalit, pasi kanë kaluar lumin me të, vetëm e vetëm që të mos ja hedhi lumit edhe shoku pas tyre. Gëzuar edhe atyre shqiptarëve që ende nuk kanë kuptuar se të integrohesh nuk do të thotë të harrohesh e mos të shohësh dot në sy as prindërit e tu; se të huazosh apo te adoptosh diçka të re nga dikush nuk do të thotë të shkelësh ç’kishe.
Gëzuar edhe atyre shqiptarëve që ende nuk kanë kuptuar se të valvisësh me shamatë një flamur publikisht nuk të bën më patriot se ai që flamurin e valvit në shtëpi, pa tundur pallatin, por duke i mësuar fëmijëve dashurinë për rrënjët. Gëzuar edhe ju, pa sarkazëm aspak, e gjetshi paqe.
Por më shumë gëzuar, e bashkë me urimet u dërgoj një përqafim të ngrohtë, atyre vëllezërve e motrave shqiptarë që kur gobava ma thanë veçmas e në sy, duke më këshilluar më mirë, pa më dekurajuar. Gëzuar e një përqafim të ngrohtë atyre vëllezërve e motrave shqiptarë me të cilët kam ndarë hallet e këto nuk qenë për ta kurre motiv ngushëllimi. Gëzuar e një përqafim të ngrohtë atyre vëllezërve e motrave shqiptarë që kanë ndarë me mua sukseset e kurrë nuk i vunë në kandar ato të miat me ato të tyret. Gëzuar e një përqafim të ngrohtë atyre vëllezërve e motrave shqiptarë që kur sapo prezantohen me dikë nuk e pyesin ç’punë bën për të matur sasinë e respektit që kanë ndërmend t’i taksin. Gëzuar e një përqafim të ngrohtë atyre vëllezërve e motrave shqiptarë që arrogancën nuk e respektojnë, por e dënojnë me keqardhje. Gëzuar e ju përqafoj ngrohtësisht juve, shqiptarëve të mi, që sukseset i ndatë me njerëzit tuaj për t’i zbukuruar faqen. Gëzuar ju shqipet e vërteta që ditët të fluturonit tok e sot dini t’i shtrëngoni duart edhe për së largu. Gëzuar e përqafime ju që pavarësinë dhe lirinë e ndërtoni ende sot, lot pas loti, djersë pas djerse për t’ja dhuruar brezit të ri pa kërkuar asgjë në këmbim, përveç dashurisë për vendin. Gëzuar e një përqafim të ngrohtë atyre shpirtmëdhenjve që kanë gjak për të dhuruar, edhe në vend të huaj, por s’do kenë kurrë gjak për të mohuar. Ju jeni të shumtët, ju jeni shembulli, ju jeni malli im, juve u përulem.
Gëzuar lirinë me kartolinën e suksesit më të bukur e më të çmuar që kam!