Tregu i sigurimeve, bie kërkesa me 10.5 %

57

makinatTregu i sigurimeve u ul me 10.51% gjatë periudhës janar- tetor 2013. Vlera e veprimeve të shkruara bruto në këtë periudhë arriti rreth 6.61 miliardë lekë. Kjo u shoqërua edhe me ulje të numrit të policave të sigurimit me rreth 4.16% duke arritur në 831,282 polica. Një tjetër tregues i ecurisë së tregut, dëmet e paguara bruto, në total, rregjistruan një rritje me 1.88% në krahasim me janar-tetor 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1.92 miliardë lekë, apo 82.55% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Sigurimi i Jo-Jetës u ul me 12.85% gjatë periudhës janar- tetor 2013, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë e një viti më parë. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik vlerësohen të kenë arritur vlerën rreth 3.03 miliardë lekë gjatë periudhës janar-tetor 2013, duke shënuar një ulje prej 17.81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sigurimi i detyrueshëm motorik gjatë periudhës raportuese përbën 46% të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës. Ndër klasat e tjera kryesore të sigurimit të Jo-Jetës veçohen: zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtime të tjera në pronë të cilat zunë 22.81% të tregut të Jo-Jetës; sigurimi i aksidenteve, sigurimi i shëndetit dhe sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme të cilat së bashku zunë 13.89% të tregut të Jo-Jetës. Sigurimi i Jetës u rrit me 9.57% krahasuar me janar-tetor të vitit 2012. Pjesa më e madhe e primeve të shkruara bruto i përket sigurimit “Jetë debitori” dhe përbën 64.26% të sigurimit të Jetës.