Rama heq mëdyshjet për taksat: Do paguajë më shumë ai që fiton më shumë

50

edi rama 2Kryeministri Edi Rama u ka dhënë fund të gjitha dilemave: Shqiptarët do ti nënshtrohen taksimit progresiv, por realist. Në një takim me studentë dhe gjimnazistë të ekselencës, Rama tha se shqiptarët do ti nënshtrohen një taksimi të drejtë dhe të ndershëm për të gjithë. Por Kryeministri ka lënë ende mister vlerën e taksimit për çdo kategori, ndërsa ka rrëzuar si të pavërteta të gjitha tabelat e publikuara në media ditët e fundit.

Në bashkëbisedimin me të rinjtë Rama veç sfidave e problemeve të ekonomisë ka analizuar probleme të drejtësisë, arsimit, deri te çështje të jetës së përditshme.

Rama garantoi se Qeveria do të jetë gjithmonë në mbrojtje të studentëve. Kreu i qeverisë tha se kabineti i tij do ta çojë përpara praktikën e ndjekur nga qeveria paraardhëse për mbështetje me bursa të maturantëve ekselentë që zgjedhin universitetet europiane për të studiuar.

“Ekselenca meriton respekt. Ata meritojnë mirënjohjen dhe respektin e gjithë shoqërisë. Dëshira jonë është që një program në mbështetje të tyre të realizohet edhe në vijim.Ka patur një praktikë të tillë, dhe ne duam që ta mbajmë jo vetëm gjallë por edhe ta çojmë më tutje, duke bërë të mundur që ata që vërtete e meritojnë, që mundohen dhe sakrifikojnë gjatë viteve, dhe marrin përmes mundit të tyre mundësinë për të studiuar më tutje në universitete të huaja dhe nuk e kanë mundësinë ekonomike, do të kenë mbështetje qeverinë dhe shtetin shqiptar” tha Rama.

Sistemi i arsimit të lartë nuk ka konkurrencë, tha kryerministri Rama, duke shprehur angazhimin e tij për të mos pasur më Universitete private që funksionojnë si fabrika diplomash.

Tabela e taksës progresive, Rama:Nuk është zyrtare, por do bazohemi tek taksimi i ndershëm

Fjala taksë nuk është e ëmbël. Por të paguash taksa është pozitive, është vlera e patriotizmit të një shoqërie. Dhe duhet të paguhen nga të gjithë. Nuk mundet të paguajnë taksa të gjithë njësoj, pasi nuk fitojnë të gjithë njësoj. Sot në Shqipëri me sistemin që është në fuqi, me taksën e sheshte, një mësues, infermier, polic, paguan më shumë taksa se kryeministri. Sistemi ynë i taksave do të bazohet tek taksimi i ndershëm. Tabelat që ju i referoheni, dhe kanë ngjallur jo pak shqetësim, nuk janë të vërteta, nuk janë zyrtare. Ne sot jemi në një moment të vështirë të ekonomisë sonë, por nuk mundemi që barrën e kësaj vështirësie t’ua kalojmë atyre që janë më të dobët.

 Skuadra e qeverisë e ka përballuar ashtu si duhet sfidën ne 2 muaj qeverisje

Për këtë periudhë kohe, skuadra e qeverisë sipas mendimit tim e ka përballuar ashtu si duhet sfidën. Ajo çka unë dua është që ne të punojmë si një skuadër dhe në këtë aspekt ne kemi ndryshuar gjithë metodën e punës, duke lënë mënjanë metodën tradicionale dhe duke vënë në jetë një metodë të re pune që bazohet në komunikimin e brendshëm mes gjithë anëtarëve të qeverisë në takimet e përjavshme. Anëtarët e qeverisë janë në lartësinë e duhur dhe po e kryejnë detyrën me përkushtim dhe zotësi. Mund të them se kam fatin të kem një zëvendës që çdo kryeministër do të donte ta kishte, një ministër të Brendshëm që jam i bindur se jo rastësisht ka marrë nota shumë pozitive në sytë e opinionit pulbik, një ministër të Jashtëm që po bën një punë të admirueshme, dhe me radhë ministra, për të mos i përmendur të gjithë, të cilët janë duke punuar me përgjegjshmëri të lartë dhe duke përgatitur 4-vjeçarin me shumë zotësi. Në përfundim të 100 ditëve do bëjmë një takim të hapur, dhe aty njerëzit do të shohin shumëçka nuk ka qenë para syve gjatë kësaj periudhë, por që është një punë konkrete, që do t’i japë përgjigje shqetësimeve të njerëzve.

Punësimi i të rinjve, kryefjalë e programit tonë
Kryefjala e programit tonë, dhe e shqetësimit sot në Shqipëri është punësimi. Por nuk është një nga ato arritje që mund të shënohen në 100 ditë. Punësimi është një arritje që do të shëhohet hap pas hapi, pasi të kemi kaluar një periudhë të mandatit. Sot punësimi caktohet si obligim i sektorit publik dhe kërkohet që ta plotësojë shteti, ndërkohë që motori kryesor i punësimit, është sektori privat, dhe biznesi.

Kompleksi “Jon” abuziv, 90% e parave për invalidët PD i shpenzoi në fushatë

Është një pyetje legjitime për shumë njerëz që sot janë në vështirësi. Kam dy sqarime për të bërë, e para kemi ndërmarrë një nismë që unë e konsideroj shumë të rëndësishme për Shqipërinë që duam, për Shqipërinë që ju meritoni që lidhet me ndalimin përfundimtar të abuzimit të përditshëm dhe të përshumëvjetshëm me territorin, me pronën tonë të përbashkët, pjesë e kësaj nisme është aksioni ynë për të çliruar bregdetin, nga të gjithë ndërtimet abuzive qofshin pa leje, apo qoftë ndërtimi në fjalë që është një ndërtim abuziv, bazuar në një procedurë që nga fillimi në fund është abuzive, por në mirëbesim qytetarët kanë shpenzuar para për të përfituar një apartament, apo një hapësirë. Do të ishte e padrejtë që këta qytetarë që kanë blerë në mirëbesim, të dalin të dëmtuar nga kjo histori që është përpjekje për të ç’dëmtuar një qytet të tërë. Unë besoj një popull të tërë në një nga pasuritë e mëdha që ne kemi që është bregdeti. Këtu flasim për rikthimin e një të drejte themelore të shkelur me këmbë e të abuzuar me vite të tëra, të një qyteti të tërë dhe një populli të tërë, për të përfituar nga një pasuri kaq e madhe saç është bregdeti. Vënia në lëvizje e planeve dhe projekteve të Shqipërisë së gjeneratës tjetër në vizion dhe në standarde, transformimi i kësaj vije bregdetare në një vijë bregdetare të një cilësie ndërtimore si në shumë pika tërheqëse të Mesdheut, do të thotë mbi të gjitha rimëkëmbje ekonomike, sociale e morale të shoqërisë. Këtu bëhet fjalë për një nisme, për një vizion dhe një projekt që është tërësor dhe duhet parë në tersi. Ana tjetër është pamundësia që kemi pasur për të paguar normalisht njerëzit më në nevojë që janë invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, që prej muajsh nuk marrin pagesën. Arsyeja është sa e thjeshtë aq edhe tronditëse, sepse mbi 90% e parave të caktuara për ta janë shpenzuar për arsyet e mos arsyes së fushatës elektorale. Janë shpenzuar për tua dhënë shumë të tjerëve që janë përfshirë në këto skema pa qenë as invalidë as në nevojë ekonomik, por thjesht për tu marrë votat me lekët e atyre që realisht i meritojnë ato lekë. E para me këto lekë nuk po shembet një pallat, me këto lekë ata që kanë përfituar në mirëbesim dhe që nuk kanë arsye që të paguajnë koston e madhe, këto lekë janë shumë pak për të zgjidhur problemin e invalidëve, që po bëjmë të pamundurën dhe do ta zgjidhim.

Peshqit e mëdhenj të korrupsionit, Rama: Do të çojmë përpara drejtësinë

Ne nuk kemi mandat për të harruar, por ne s’kemi as mandat për të hedhur pranga nëpër rrugë. Ne jemi qeveria e një shumice shumë të fortë, jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, sikurse jemi të vetëdijshëm që në zgjedhjet e 23 qershorit ka patur një etje për drejtësi, të cilës do ti shërbejmë duke bërë pjesën tonë. Numri i rasteve të goditura këto dy muaj e pak, është mbi 400% më shumë. Ju siguroj që ne do të çojmë përpara drejtësinë për sa na takon si qeveri të gjitha rastet ku do të konstatojmë nga auditi i së shkuarës, arsye për ndjekje penale, pa kursyer askënd në asnjë nivel. Këtë do ta bëjmë duke e ndarë me publikun dhe do të kërkojmë që prokuroria dhe gjykata të marrë përgjegjësinë. Por nuk duhet ta harrojmë që nuk jemi as prokurori as gjykatë, por mund ti bëjmë të funksionojnë ato më mirë përmes reformave.

Statusi kandidat nuk është rrugë jashtë shtetit, por është udhëtim brenda vetes

E rëndësishme është që ne të jemi të gjithë të angazhuar dhe të vetëdijshëm që integrimi evropian nuk është udhëtim për diku. Nuk është rrugë jashtë shtetit që përfundon në Bruksel, por është udhëtim brenda vetes, për të ndërtuar vlerat dhe parimet e Europës së bashkuar në shoqërinë tonë dhe mbi këto vlera e parime të ndërtojmë Shqipërinë këtu.

Vendimi më i vështirë i qeverisë, refuzimi i armëve kimike

Sigurisht që ka qenë vendimi për armët kimike. Një vendim që erdhi për tu marrë në një kohë kur sapo kishim filluar punën. Një nga ato vendime shumë të vështira që kjo punë ti nxjerr përpara. Në kushtet kur Shqipëria ka marrë një rrugë të qartë në orientimin e vet euroatlantik, është anëtare e NATO-s, e angazhuar në procesin e integrimit evropian, është në një fushë veprimesh dhe ndërveprimesh ku jo gjithçka është zgjedhje e lirë. Shqipërisë ju kërkua të merrte përsipër një rol që i kalon përmasat e një vendi të vogël dhe e kthen një vend të vogël në një qytetar global. Fatkeqësisht nuk u përmbushën të gjitha kushtet që ta kishim bërë këtë vendimmarrje pozitive dhe kështu vendimi që u mor ishte ai që të gjithë e dimë dhe që ishte plotësisht edhe më dëshirën e pjesës më të madhe të popullit që u shpreh përmes një proteste që ishte në fakt pjesë aktive e një debati dhe e një procesi vendimmarrës. Mospërputhja e dëshirës me mundësitë në mungesë të kushteve për ti përputhur këto të dyja, solli vendimin dhe ai ishte realisht i vetmi për tu marrë në ato kushte.