Topi: dorëheqja e Berishës pozitive, por e pamjaftueshme për reflektim

73

TopiKreu i FRD, Bamir Topi dha sot një deklaratë për shtyp. Topi shprehu mirënjohjen për votën, që qytetarët i kanë dhënë partisë së tij, pranoi rezultatin zgjedhor dhe theksoi se, PD ka nevojë për reflektim. Topi e konsideroi pozitive dorëheqjen e Berishës, por vlerëson se kjo është pak për të filluar procesin e reflektimit brenda së djathtës.

Më poshtë keni deklaratën e kreut të FRD-së Bamir Topi: 

“Dal sot në emër të FRD për të bërë një deklaratë në lidhje me procesin zgjedhor.

Të nderuar qytetarë, të dashur anëtarë dhe mbështetës të FRD.

Sot mbyllet zyrtarisht procesi zgjedhor i 23 qershorit. Qytetarët morën vendim të qartë për rotacion politik dhe krijimin e një aleance të re qeverisëse.

Në emër të FRD, shpreh publikisht njohjen e rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Ne urojmë fituesin e zgjedhjeve dhe i inkurajojmë të mbajnë premtimet e dhëna, duke siguruar publikun se do jemi forcë aktive opozitare. Vendi ka nevojë për mirëqeverisje, sikurse ka nevojë për një opozitë të re, serioze dhe të aftë të përfaqësojë alternativën konkurruese të pushtetit.

Mirënjohje për më shumë se 30 mijë qytetarë, që në kushtet e polarizimit ekstrem, vendosën të besojnë në vlerat e parimet e FRD.

Ndjehem dyfish i nderuar që mbi 10 mijë qytetarë të kryeqytetit zgjodhën FRD, duke arritur kuotën më të lartë për një parti jashtë koalicioneve.

Falënderim për zotin Sinanaj, kandidatin tonë fitues në garën lokale në Sevaster të Vlorës.

Ne kemi rezervat tona për votën de facto, por si parti pa përfaqësim në komisione dhe me një vit në jetën politike, fenomene të tilla ishin të pritshme.

Në një sistem të ndershëm zgjedhor rezultati ynë do kishte qenë më i thellë. Ne nuk kemi mundësi ndaj e pranuam këtë sistem. Ne hymë në garë për të ofruar më të mirën për qytetarët dhe jemi krenarë.

Gjej rastin të theksoj se FRD vlerëson se vota popullore ndëshkuese për arrogancën e pushtetit aktual, penalizoi më shumë se gjithçka të djathtën e vërtetë shqiptare.

Mijëra demokratë të vërtetë janë në opozitë për shkak të modelit të keqqeverisjes dhe abuzimit të pushtetit.

Kritikat tona të vazhdueshme u refuzuan, por elektorati me votë i vërtetoi ato.

Sot në emrin tim dhe FRD vlerësoj dorëheqjen e kryetarit të PD dhe e shoh si një hap pozitiv, por jo të mjaftueshëm për të nisur një proces reflektimi brenda të djathtës.

Ajo parti mbetet një pasuri për Shqipërinë. Mijëra demokratë të ndershëm nuk janë vetëm. Ata meritojnë respekt dhe falje publike. Kjo tendencë për të evituar përballjen me realitetin vonon jo vetëm rikthimin e tyre dinjitoz në vendimmarrjen politike, por edhe procesin e krijimit të alternativës ndaj pushtetit”, – deklaroi Topi.