SHBA,Senati miraton projekt-ligjin për imigracionin

62
foto/ eacouncil.org/
foto/ eacouncil.org/

Senati amerikan miratoi një reformë të rëndësishme në ligjet e imigracionit me 68 vota pro dhe 32 kundër. Projekt-ligji është një përparësi për axhendën e Presidentit Obama, por ballafaqohet me një të ardhme të paqartë në Dhomën e Përfaqësuesve:

Projekt-ligji i Senatit ofron mundësinë e shtetësisë përmes një rruge të gjatë dhe të vështirë për miliona imigrantë pa dokumenta.  Demokrati Richard Durbin ndihmoi në hartimin e dokumentit:

“11 milionë vetë do të paraqiten për t’u regjistruar në dokumentat e qeverisë sonë, do të paguajnë taksat, gjobat, dhe do të pranojnë që të bëhen subjekt i një analize të biografisë, para se të kenë të drejtën e shtetësisë në këtë vend”.  

Projekt-ligji përpiqet të thjeshtëzojë mënyrat për imigracion të ligjshëm, duke vënë theksin tek tërheqja e punonjësve të kualifikuar. Po ashtu dokumenti kërkon forcimin e masave të kontrolli në kufi, gjë që e vuri në dukje Senatori republikan Marco Rubio.

“Ky propozim përfshin masat më të forta të sigurisë së brendshme dhe kontrollit të kufirit në historinë e vendit. Për shembull, përfshin fonde për ngritjen e një gardhi 1126 kilometrash përgjatë kufirit dhe shton 20 mijë agjentë të rinjë kufiri.  Ky propozim parashtron plane specifike për teknologjinë që kërkohet për çdo sektor të kufirit”. 

Të gjithë senatorët demokratë e mbështetën projekt-ligjin, së bashku me afro 1 të tretën e senatorëve republikanë. Kundërshtarët, si Senatori David Vitter, nuk janë të bindur se do të përmbushë premtimet për sigurinë:

“Së pari, thuajse menjëherë jepet amnistia për imigrantët e paligjshëm. Më pas, ndoshta, realizohet zbatimi i ligjit”. 

Republikanë të tjerë argumentuan se shtimi i miliona imigrantëve në forcën e punës në Shtetet e Bashkuara do të ulte pagat dhe do të rriste papunësinë.
Por sipas një analize nga një grup jopartiak, projekt-ligji i Senatiti do të nxiste rritje ekonomike dhe do të ulte deficitin buxhetor. Këtë argument theksoi edhe Senatori demokrat Charles Schumer:

“Më pak imigrantë të paligjshëm, shtohet prodhimi i përgjithshëm i brendshëm, shtohen vende pune dhe ulet deficiti. Kush mund ta kundërshtojë këtë? 

Por rezistenca ndaj këtij propozimi është e lartë në radhët e republikanëve që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner ka hedhur poshtë idenë e hedhjes në votë të projekt-ligjit të Senatit./VOA/