Thaçi: Bashkëpunimi me Serbinë, i arritshëm

52

hashim thaciKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e Sigurisë në Mynih ku ishte i pranishëm bashkë me kryeministrin serb Ivica Dacic dhe Baroneshën Catherine Ashton, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, në një postim në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se në këtë panel ka paraqitur disa teza për  debat me Ashton dhe Dacic, organizuar enkas për ta shënuar suksesin historik të dialogut.

“Paqja nuk arrihet duke evokuar emocione të së kaluarës. Bashkëpunimi i ndërsjelltë Kosovë – Serbi është i vështirë emocionalisht, por politikisht dhe praktikisht më se i arritshëm. Faktet e hidhura të konfliktit njëshekullor janë të rënda, por argumentet e së ardhshmes janë më të fuqishme për arritjen e paqes”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar, ka shtuar se të dy kryeministrat do të fitonin më shumë duartrokitje në kryeqytetet e vendeve të tyre nëse nuk do ta arrinin marrëveshjen.

“Ekziston bindja në Serbi dhe Kosovë, por edhe më gjerë, se serbet dhe shqiptarët janë armiq ‘organik’ dhe se kurrë nuk do të mund të bashkëpunojnë. Unë nuk i besoj kësaj logjike. Konflikti ka krijuar një hendek dhe urrejtje të thellë, por unë besoj në fqinjësi të mirë serbo-shqiptare. Marrëveshja nuk është dorëzim i njëri-tjetrit, por reflektim për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Çfarëdo arritje e paqes është më e vështirë se fillimi i konfliktit”, ka thënë Thaçi në konferencën e Sigurisë në Mynih.