MB: Të vendosur për të luftuar krimin, opozita le të frymëzohet

11

tahiriMinistria e Brendshme ka reaguar sot në lidhje me akuzat e bëra nga Partia Demokratike se, Policia e Shtetit është e implikuar në rrjete kriminale. Në një deklaratë të saj, MB-ja thekson se kur PD-ja ishte në pushtet dështoi në luftën kundër krimit, ndërsa sot po ankohen se policia është kthyer në krye të detyrës.

“Ata që deri dje dështuan ta luftonin krimin, sot po ankohen se Policia është rikthyer në krye të detyrës dhe po lufton për rikthimin e shtetit ligjor. Rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e akteve kriminale kanë aq domethënëse sa duket se kanë shkaktuar frikë e pakënaqësi jo vetëm te kriminelët, por edhe te ata që me paaftësinë, korrupsionin dhe inkriminimin e tyre i krijuan terrenin e favorshëm krimit të shtrinte metastazat e tij ngado.

MB-ja thotë se prej dy ditësh, përfaqësues të lartë të opozitës janë duke u përpjekur të përbaltin punën e Policisë së Shtetit. “Mashtrimet, shpifjet dhe vreri i opozitës vijnë pikërisht në momentin kur policia po tregon se është në krye të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e papërlyer dhe e pandikuar nga tendencat korruptive. Shembulli më i qartë i kësaj qasje të re të Policisë së Shtetit është aksioni për zbulimin e një grupi me lidhje kriminale nga më të rrezikshmet, ku po arrestohen persona që deri dje dukeshin të paprekshëm nga ligji”.

“PD-ja ka zgjedhur të bëjë politikë me krimin, ne jemi të vendosur të luftojmë krimin. Politika e PD-së frymëzon krimin, lufta jonë po e zmbraps përditë krimin. Përpjekja e dëshpëruar e PD kundër Policisë së Shtetit është e destinuar të dështojë, njësoj siç po dështon kundërveprimi i krimit ndaj aksionit energjik e të vendosur të Policisë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e shtetit janë të vendosura të vazhdojnë luftën kundër kriminalitetit të rrugës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke qenë të bindur se beteja për shtetin ligjor dhe drejtësinë është më e madhe se sa beteja kundër krimit”.