Shuhet “Artisti i Popullit” Skënder Sallaku, nesër homazhe në Teatrin Kombëtar

65

skender_sallakuNdërron jetë në moshën 79-vjeçare “Artisti i Popullit” Skënder Sallaku. Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm pasi prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Skënder Sallaku është njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, autor skeçesh e parodish, etj. Është i njohur  për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk.

Skënder Sallaku ka lindur me 25 janar të vitit 1935 në Tiranë.  Ai  ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës fizike ”Vojo Kushi” dhe ka kryer dy vjet specializim në akrobaci dhe humor në Kinë, pranë cirkut të Pekinit.

Ka punuar si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun në cirk duke e ushtruar një profesion sa të vështirë aq edhe të bukur. Ka vazhduar paralelisht edhe në film, humor, dramë, etj.

Skënder Sallaku kishte një karrierë artistike gjashtëdhjetëvjeçare në skenë. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ai ka edhe titullin ”Artist  i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, etj.

Homazhet në nderim të Skënder Sallakut do të mbahen nesër, nga ora 10:00-12:00 në Teatrin Kombëtar ndërsa më pas trupi i pajetë i ‘Artistit të Popullit’, do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës në Tiranë.