Shqiperia sot vendos, Kryetarja e KQZ-së mesazh: Votoni

18

59257_3Nisi procesi i votimit në orën 7 :00 këtë të dielë për t’i dhënë fjalën sovranit të zgjedhë forcën politike dhe liderin që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme.

Në mënyrë simbolike Kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve në Tiranë, ku edhe ka votuar. Ajo ka lëshuar edhe një apel publik :

Mesazhi i ditës së sotme te Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është votoni. I bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht. Gjithashtu i bëj thirrje komisionerëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lenë mënjanë ndikimit politike”,- ka deklaruar Kryetarja e KQZ-së.

Në bazë të regjistrit elektronik pritet të ushtrojnë të drejtën për votë 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19 :00. Në total janë 5508 qendra të tilla, 19 qendra votimi janë ngritur në mënyrë që votuesit që gjenden në institucionet e burgimit, rreth 5000,  të mund të votojnë duke ushtruar të drejtën e tyre në bazë të Kushtetutës.

Pritet që numrin më të madh të deputetëve të dalë nga qarku i Tiranës, rreth 32 deputetë, për të cilët priten të votojnë 785 mijë persona, kurse ai i Kukësit më të voglin rreth 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë qytetarë.

Zgjedhjet e sotme konsiderohen të jenë si nga më të vëzhguarat deri më tani ku 9000 vëzhgues kanë zbarkuar në terren. 400 vëzhgues i përkasin vetëm OSBE/ODHIR ndërkohë që kanë zbarkuar në Shqipëri edhe stafe të ambasadave të huaja përfshirë dhe atë amerikane. Një vëmendje e pazakonshme e cila shpreh shqetësimin e ndërkombëtarëve që zgjedhjet të zhvillohen të lira dhe të ndershme.