Shqipëria merr statusin kandidat dhe hapjen e negociatave me kusht

35

KE“Shqipëria ka bërë progres në plotësimin e kritereve politike të Kopenhagenit, që kërkojnë stabilitet të institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtje të minoriteteve”, thuhet në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Sa i takon demokracisë dhe zbatimit të ligjit, raporti nënvizon se, pavarësisht tensioneve dhe klimës së polarizuar politike para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Shqipëria vazhdoi përpjekjet për plotësimin e kritereve të vendosura.

“Procesi i 23 qershorit, që rezultoi një fitore e pastër për koalicionin opozitar të Partisë Socialiste, është vlerësuar pozitivisht nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë. Kryeministri në largim pranoi humbjen duke i hapur rrugën ndryshimit të qeverive”, vijon progres-raporti.

“Duke parë progresin e bërë nga Shqipëria, Komisioni rekomandoi në tetor 2012 që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat me kusht që të plotësohet disa masa në sistemin e drejtësisë, administratën publike dhe rishikimin e rregullores së parlamentit. Në dhjetor 2012 Këshilli i BE-së i kërkoi Komisioni Evropian që t’i raportonte Këshillit kur Shqipëria të plotësohet këto kritere”, thuhet në raport.

Statusi kandidat dhe hapjen e negociatave me kusht

Komisioni Europian i rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”: ky është formulimi i paraqitur sot vendeve anëtare të Bashkimit europian, i siguruar nga Zëri i Amerikës. Ndërkohë hapja e bisedimeve kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.

Në ndryshim nga viti i kaluar kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë Komisioni Europian në dokumentin e tij për Shqipërinë, i propozon vendeve anëtare që asaj “t’i jepet statusi kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë reforma në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. Por sipas disa diplomatëve perëndimorë, vështirë se Këshilli mund të rrëzojë një rekomandim pozitiv. Do të jetë po ky Këshill që do të duhet të vendosë për hapin tjetër kryesor në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës, atij që lidhet me datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas Komisionit Europian “që të mund të shkojë drejt nivelit tjetër dhe të hapen bisedimet për anëtarësim Shqipëria duhet të përmbushë të tjera përparësi kyçe, me një fokus të veçantë  në reformat për administratën, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore”, vlerëson Komisioni i cili thekson se “dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm do të mbetet thelbësor për një proces të suksesshëm reformash”.

  Progres Raporti