“Duke marrë shkas nga disa publikime të fundit në media rreth linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron sa më poshtë: Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonjeksionit, e cila lidh nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) me një gjatësi totale prej 241.5 km. Ndërsa, LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë–fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST)”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka sqaruar hapat që janë ndjekur gjatë perudhës së zvarritjes 2-vjeçare. “Amendimi i kontratës së konsulencës për procedurën e re të tenderimit është kryer më 4 shkurt 2013. Njoftimi për procedurën e re të tenderimit për këtë projekt u krye më 20 mars të vitit 2013. Më 11 qershor 2013 është kryer hapja e procedurës së tenderimit, marrja e ofertave dhe hapja e zarfit të postkualifikimit. Më 9 gusht 2013 është bërë hapja e ofertës teknike ku është kryer edhe skualifikimi i disa ofertave, duke bërë që më 1 nëntor 2013 (kur u hap oferta financiare) të kishte mbetur vetëm kompania ’Energoinvest’”, thuhet në njoftimin e minstrisë.
Ndërsa më 12 dhjetor 2013 është kryer firmosja e kontratës për LOT 1 me “Energoinvest”. Selektimi dhe përzgjedhja, deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës kfË, gjatë qeverisjes së shkuar. E gjithë procedura është ndjekur dhe zhvilluar nën konsulencën e bankës gjermane, e cila ka certifikuar procesin deri në firmosje të kontratës më 12 dhjetor 2013. “Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizmin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike”.