Rama-Nishani sherr me dyer të mbyllura

55

rama-nishani1Burimet brenda takimit saktësuan se mes dy krerëve më të lartë të shtetit, presidentit Nishani dhe kryeministrit Rama u zhvillua një ballafaqim midis qëndrimeve për çështje që janë prezantuar gjatë kohëve të fundit dhe që kanë sjellë me të vërtetë një debat të fortë në ambientin politik shqiptar, bën të ditur “Shqiptarja.com”.

Ambasadorët

Si pikë e parë e diskutimit mes Nishanit dhe Ramës gjatë bisedimet afër një orë ka qenë çështja e mosdekretimit të emrave të disa ambasadorëve dhe kjo në kuadër të ankesës nga ana e kreut të ekzekutivit dhe për dekretet e tjera që kanë mbetur pezull, duke bllokuar ecurinë normale të punës. Bëhet fjalë për mosdekretimin e kandidatit për ambasador në Vatikan, Ardian Ndreca dhe kandidatit për ambasador në Arabinë Saudite, Ermir Gjinishi.

Emrat e këtyre dy ambasadorëve qëndrojnë në Presidencë, ndërkohë që vetë Nishani ka thënë për mediat se s’do të dekretonte kandidatura të kulisave, tekave, interesave apo thjeshtë dëshirave, por vetëm kandidatë që plotësojnë kushtet e përfaqësimit dinjitoz të vendit, individë seriozë dhe të përmbajtur që zotërojnë kapacitetet e duhura intelektuale, profesionale, shoqërore dhe etike. Pikërisht një vendosmëri e tillë për të bllokuar këto dekrete, por dhe të tjera nga ana e Presidentit ka sjellë dhe shqetësimin e kryeministrit.

Shkarkimi i Xhukës

Një pikë tjetër e cila është diskutuar ka qenë dhe çështja e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Zana Xhukës, ish-kryetare e ILDKP nën argumentin e mungesës së zbatimit të ligjit në emërimin e saj një vit më parë, duke votuar kandidaturën tjetër të dekretuar nga Presidenti po një vit më parë. Duke parë se presidenti dhe për shkarkimin e Xhukës ka mbajtur qëndrimin e tij, duke e cilësuar në kundërshtim flagrant me Kushtetutën emërimin në krye të këtij institucioni të Shkëlqim Ganajt, madje e ka cilësuar këtë emërim si një uzurpim të kompetencave të kreut të shtetit, Rama e ka diskutuar në takimin e djeshëm.

Ina Rama

Mësohet se në takim është diskutuar dhe për për anëtarët e KLD dhe qëndrimin që kanë mbajtur ata ditët e fundit. Kreu i qeverisë mësohet të jetë shprehur se ky institucion si dhe një pjesë e gjyqtarëve shfaqin qëndrime të hapura politike, të papranueshme për një vend ku ka demokraci, ndarje pushtetesh dhe që aspiron të hyjë në Evropë. Njëherësh kryeministri Rama mësohet t’i ketë bërë të ditur Presidentit, i cili është dhe kryetar i KLD-së, se është absurde të bllokosh ish-Kryeprokuroren Ina Rama me argumentin si të paaftë për ushtruar funksionin e gjyqtares, ndërkohë që ajo ka drejtuar për 5 vite me radhë një institucion kushtetues e të pavarur kaq të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, që është Prokuroria e Përgjithshme. Aq më tepër që në këtë rast është shkelur dhe ligji e Kushtetuta, që përcaktojnë rikthimin në vendin e punës pas përfundimit të mandatit.

SHISH jashtë bisede

Burimet thonë se mes Nishanit e Ramës s’ka qenë objekt diskutimi në takimin e djeshëm SHISH dhe kreu i tij Visho Ajazi Lika. Do të duket në ditët që vijnë se çfarë qëndrimi do mbajë presidenti Nishani, pas këtij ballafaqimi me kreun e qeverisë.

Nishani: “Xhuka, në Kushtetuese. Drejtësia pa presion”

Kreu i shtetit Nishani e quan emërimin e pasuesit të Zana Xhukës në krye të ILDKP, Shkëlqim Ganaj akt të rëndë, të patolerueshëm të shkeljes së Kushtetutës, dhe parlamenti uzurpoi kompetencat e presidentit. Sipas tij drejtimi në Kushtetuese, është jo vetëm në korrektese të detyrës, por dhe në ndërgjegjen e tij qytetare, shoqërore dhe njerëzore, që nuk e lejojnë të mbetet indiferent. Sipas tij në këtë mënyrë synohet korrektimi i një shkeljeje por dhe frenohet krijimi i një precedenti. Për prokurorët të huaj për 21 janarin, ai thotë që drejtësia duhet të bëjë punën e vet.

  Edi Rama: “21 janari hetim me prokurorë të huaj”

Kreu i qeverisë, Edi Rama tha në Parlament se qeveria do marrë një prokuror të huaj për të hetuar e zbardhur ngjarjet e 21 janarit, si dhe dosjet e korrupsionit. “Vazhdoni të drejtoni sistemin gjoja të pavarur të drejtësisë e ju keni marrë garancinë se s’do ju prekni për gjithë ato vite dhe u keni thënë. Meqenëse e keni kaq merak hetimet duke filluar nga 21 janari, një prokuror i pavarur i huaj të vijë e të drejtojë hetimin e çështjes. Nëse ju e keni përzemër luftën ndaj korrupsionit ta hetojmë më tej e ta shikojmë se çfarë rezultatesh do të nxjerrë”, tha Rama.