Në korrik, niveli i kredive me probleme arriti në 23.8%, duke shënuar një rënie prej 0.4% kundrejt muajit të mëparshëm dhe duke arritur kështu nivelin e fillimit të këtij viti.
Ekspertët shpjegojnë se një ndër faktorët që mund të ketë ndikuar është hyrja në fuqi e paketës së masave të ndërmarrë nga banka e shqipërisë, pjesë e të cilës është edhe lehtësimi i procedurave për ekzekutimin e kolateralit.
Efekt mund të ketë dhënë edhe shtrëngimi i standardeve që kanë aplikuar bankat në dhënien e kredive, pikërisht për të siguruar kthimin e tyre.
Gjatë dy viteve të fundit, një pjesë e bizneseve kanë hasur vështirësi në kthimin e huave të marra. Shkak nuk ka qenë vetëm ndikimi i krizës europiane dhe ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend, por edhe mosshlyerja nga ana e qeverisë e kompanive të kontraktuara për punë publike.
Institucionet financiare ndërkombëtare, si banka botërore e FMN kanë kërkuar vazhdimisht që kjo faturë t’i paguhet sipërmarrjes private, si një mënyrë që do të ndikojë direkt jo vetëm në përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve por edhe në uljen e nivelit të kredive me probleme.
Sipas kontrollit të lartë të shtetit, borxhet që qeveria i detyrohet biznesit aktulaisht arrijnë në 400 mln euro.