Atentat biznesmenit të ndërtimit, i vendosin eksploziv në makinë

56

policiaAtentat biznesmenit të ndërtimit në kryeqytet. Një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në automjetin e ndërtuesit Armando Ceka, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:18 në rrugën “Siri Kodra”, ndërsa lënda plasëse është vendosur në bagazhin e mjetit tip Volvo me targa AA 997 CX.

Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur banorët e zonës dhe mësohet se është dëgjuar deri në zonën e Medresesë. Nga shpërthimi është dëmtuar edhe një tjetër automjet që ndodhej aty pranë, si dhe janë thyer xhamat e tre bizneseve.

Ndërkohë në parukerinë e dëmtuar në momentin e shpërthimit një nuse po rregullohej për dasmë, edhe pas shpërthimit parukierja ka vijuar punën për të mos vonuar nusen.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se pista kryesore e hetimeve është përqëndruar në mosmarrëveshjet që biznesmeni kishte me banorët e një pallati të ndërtuar prej tij, të cilët e kanë kallëzuar disa herë në polici duke e akuzuar për shitjen e pallateve dy herë.

Siç raporton gazetari Spartak Koka, në vitin 2012, më 17 mars Lorenc Terenaj, ortakut të 34-vjecarit Ceka i është vendosur tritol në banesën e tij. Teranaj dhe Armando Cekaj kanë lënë përgjysmë një pallat në rrugën “Don Bosko”. Ndërkohë që Teranaj ka qenë i arrestuar më 24 gusht 2011 pasi u kap me 1.2 kg heroinë.

Ekspertët e policisë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.