Shkatërrohet rrjeti ndërkombëtar i drogës e prostitucionit, në pranga 7 shqiptarë

62

pranga-arrestimShkatërrohet një rrjet kriminal, i cili merrej me shfrytëzim të femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve. Strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Tempesta” të zhvilluar në bashkëpunim me autoritet Policore Italiane, Greke dhe Rumune, bënë të mundur kapjen e 7 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e një organizate kriminale, e cila merrej me shfrytëzim e femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar prej ditës së djeshme deri mesditën e sotme, nga sektori për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Vlorë, Fier dhe Tiranë u bë i mundur arrestimi i shtetasve:

-Igli Metushi, vjeç 21, nga Vlora, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike e tipit marijuana.
-Gazmir Shkurtaj, vjeç 27, nga Vlora, i cili akuzohet pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike e tipit marijuana.
-Daniel Lika, vjeç 28, nga Fieri, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim lëndësh narkotike.
-Eduarto Hoxha, vjeç 37, nga Fieri, i cili akuzohet për trafikim i lëndëve narkotike, marijuana
-Kreshnik Bendo, vjeç 24, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni
-Eugen Çaushi, vjeç 30, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni
-Edër Dorzi, vjeç 32, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni

Në kuadër të këtij operacioni, i cili është zhvilluar njëkohësisht në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Rumani u bë i mundur ekzekutimi i urdhër arresteve për 30 persona, pjesë e 2 organizatave kriminale të lidhura me njëra tjetrën, ajo e Milanos, e cila drejtonte prostitucionin e grave të reja nga Europa Lindore dhe ajo e Firences, e cila merrej me shpërndarjen e narkotikëve me origjinë nga Shqipëria në qendra të ndryshme të Italisë.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria e Milanos. Në kuadër të këtyre hetimeve u mundësua zbardhja e mekanizmit të veprimtarisë kriminale të zhvilluar nga këto dy grupe kriminale në kontrollin e aktivitetit të prostitucionit dhe në ripërdorimin e të ardhurave të përftuara në blerjen e narkotikëve, si dhe u identifikuan në Greqi dhe Shqipëri, përgjegjësit e dërgesave të narkotikëve.

Shtetasit e sipërcituar janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, ku do të përballen me akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.