Për shembjen e ndërtesës 8-katëshes u përdor një sasi prej mbi 300 kg tritol, e cila u vendos në tre katet e para të ndërtesës. Nga shpërthimi i tritolit ndërtesa është shembur pjesërisht.
Shpërthimi ka qenë i fortë, por fatmirësisht nuk janë shënuar dëme të tjera në zonën përreth. Dy pallatet e këtij kompleksi u rrëzuan në krahun e pishinës, pikërisht në krahun në të cilin ishte parashikuar dhe shembja.
Masa të forta sigurie u morën në të gjithë vijën bregdetare të plazhit të vjetër nga Skela tek Tuneli ku është ndaluar tërësisht qarkullimi i mjeteve për 8 orë.
Kompleksi “Jon”, ishte në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Me vendim qeveria, banorët e këtij pallati janë shpronësuar për shkak se plani rregullues i vijës bregdetare të Vlorës nuk parashikon ndërtimin e pallateve në këtë zonë.