Shekulli i shqiptarëve

56

flamur gjigandNga Jakup Krasniqi*

Nga shekujt e shumtë të ekzistencës shqiptare, të cilëve nuk u dihet fillimi, tepër pak vite i përkasin mëvetësisë së tyre. Ka të dhëna të rëndësishme që shqiptarët e sotëm i lidhin me njërin nga popujt më të vjetër të hapësirave mesdhetare, të atyre që krijuan kulturën mikenase, të pellazgëve të hershëm.

Shkenca e historisë përgjithësisht dhe disa degë të rëndësishme të saj, veçanërisht, kanë dëshmuar (sipas disa autorëve shqiptarë e të huaj) se parashqiptarët e hershëm janë ilirët e Ballkanit Perëndimor. Territori i shtrirjes ilire fillonte nga Istria, në veri, dhe përfundonte në Gjirin e Ambrakisë, në jug. Ata bashkëjetuan në fqinjësi me trakasit e grekët, në lindje dhe latinët, në perëndim, në hapësirën gjeografike të quajtur Iliri. Madje një pjesë e ilirëve si japygët, mesapët e etruskët jetuan pikërisht në territorin e Gadishullit Apenin.

Ky popull që në shekujt e mesjetës së mesme (siç njihet në historinë europiane si Epoka e Humanizmit dhe e Renesancës), identifikohej me emrat: alban, epirot dhe maqedonas, e arriti epokën e art në kohën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Këtë periudhë shkenca e jonë e historisë dhe ajo europiane e kanë ndriçuar nga shumë anë. Por, shekulli i parapavarësisë së shqiptarëve, i njohur si Rilindje Kombëtare, fillon në vitet ‘20–‘30 të shekullit XIX për të kulmuar me mendimtarët e mëdhenj të brezit të Sami Frashërit, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo periudhë e lavdishme përfundon me Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 prirë nga brezi i pavarësistëve, në krye me bërësin e saj, Ismail Qemalin.

Që këtej edhe fillon shekulli i shqiptarëve si komb shtetformues. Sivjet po përfundon viti i parë i fillimit të shekullit të dytë të shqiptarëve. Edhe ky shekull na ngarkon me detyra dhe obligime të shtëpisë si edhe me sfida të ndryshme, të brendshme e të jashtme. Nëse krijimi i shteteve kombëtare përbën karakteristikën kryesore të historisë moderne të njerëzimit, populli shqiptar gjatë shekullit të fundit mobilizoi energji të mëdha që të siguronte këtë hapësirë gjeografike, politike dhe juridike, në të cilën do t’i zhvillonte potencialet e veta të gjithanshme.

Për një shekull të tërë është dashur të ballafaqohemi me projektet shfarosëse të shteteve fqinje, të cilat gjeneruan konflikte dhe luftëra me pasoja të mëdha. Këtyre pasojave duhet t’ia shtojmë edhe faktin se pas Luftës së Dytë Botërore hapësira jonë kombëtare, edhe ashtu e copëtuar, u ndodh në anën tjetër të asaj që për pesë dekadat e «luftës së ftohtë» do të emërtohej si “perde e hekurt”.
Kjo “luftë e ftohtë” e përmasave globale do ta lërë në heshtje “dhunën dhe terrorin e nxehtë” me të cilën përballeshin shqiptarët jashtë asaj pjese të shtetit të pavarur, të krijuar gjatë viteve 1912-1913.
Shpartallimi i “mureve dhe i perdeve të hekurta”, që na kishin ndarë politikisht nga pjesa perëndimore e kontinentit europian, hapën një perspektive të re për popullin shqiptar, për popullin më të diskriminuar dhe më të shtypur të Europës!
Nuk do ta rëndoj këtë përimtim rasti me gjërat të cilat janë të njohura për pjesëmarrësit e këtij forumi (auditori). Megjithatë, po theksoj se rënia e “Murit të Berlinit”, që simbolizon edhe rënien e ndarjes bipolare të botës, Lindje/Perëndim, nuk i zhbëri “perdet” e vizioneve të kaluara në Ballkan.

Kapërcimi në një sistem të ri politik, ku filluan të zbatohen procedurat demokratike, nuk jepnin rezultatet e duhura për shkak të mentaliteteve, mendësive dhe kulturës së vjetër. Institucionalizimi i procedurave demokratike (zgjedhje të lira, sistem shumëpartiak, mendim të lirë, shprehje të lirë, shtyp të lirë , bashkim të lirë politik etj.), pa kulturën dhe vlerat demokratike që duhej t’i shoqëronin, sollën situata paradoksale ku sistemi demokratik shihej e përceptohej si sistem dominimi dhe mbivotimi i “të tjerëve”!
Si pasojë e konfrontimit të logjikës së dominimit, nga njëra anë dhe aspiratave liridashëse, nga ana tjetër dhe si rezultat i intervenimit ushtarak, politik dhe ekonomik të shteteve të demokracive perëndimore u arrit të evitohej gjenocidi dhe shpërngulja e dhunshme e përfundimtare e shqiptarëve nga Kosova. Kështu, përpjekjet njëshekullore u përmbyllën me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Në kontekstin historik të integrimeve në strukturat politike të Bashkimit Europian dhe në strukturat e sigurisë së Aleancës Veriatlantike shqiptarët janë në një pozicion të favorshëm. Jo vetëm për faktin se Republika e Shqipërisë tanimë është anëtare e NATO-s, por para se gjithash për shkak të realitetit politik dhe shoqëror ku ambiciet e forcave politike kryesore të Kosovës dhe Shqipërisë pretendojnë të jenë në harmoni të plotë me aspiratat e popullit shqiptar në gjithë hapësirën ballkanike.
Realiteti i ri ka krijuar mundësi të reja që duhen shfrytëzuar me përkushtim e vendosmëri, gjithnjë duke i konsumuar vlerat europiane të bashkëpunimit e të partneritetit të ndërsjellë. Pas çlirimit të Kosovës e posaçërisht pas Rrugës së Kombit, janë krijuar mundësi të shumta bashkëpunimi e integrimi mes popullit shqiptar të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.

Ky avantazh vetvetiu nuk siguron gjë. Përpjekjet tona të përhershme duhet të orientohen në kahe të tilla ku të gjitha ligjet e harmonizuara me ligjet e Bashkimit Europian të bëhen pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë të funksionimit politik.
Krahas kësaj u mbetet të gjitha strukturave dhe institucioneve tona politike, kulturore, arsimore dhe edukative që, përmes një angazhimi të gjithanshëm, t’i përvetësojnë dhe t’ia transmetojnë tërë shoqërisë sonë vlerat dhe parimet mbi të cilat funksionojnë shoqëritë demokratike. Duke i përvetësuar këto vlera dhe duke funksionuar në përputhje me to, ne krijojmë kushtet e domosdoshme që integrimi në këto institucione të shihet si një proces tërësisht i natyrshëm.

Pikërisht për këtë arsye, bartësve të institucioneve tona shtetërore, sidomos të Shqipërisë e të Kosovës, u takon që të mbështesin me të gjitha forcat e institucioneve të shtetit, institucionet kulturore, arsimore dhe edukative etj., që demokracia si kulturë, me vlerat dhe parimet e veta të bëhet pjesë e pandashme e kulturës sonë të gjithëmbarshme kombëtare.

Kjo qasje, fillimisht ndaj vlerave tona kombëtare (që tranzicioni përkohësisht sikur i ka shmangur) dhe pastaj drejt vlerave të demokracisë perëndimore, do të krijojë favore për rrugën e integrimeve të shqiptarëve në Bashkimin Europian, në tërësinë e përparimit ku futesh me të veçantat e tua identifikuese.

Në këtë kuptim përmbushet edhe koncepti i sintagmës shekulli i shqiptarëve, ku kategoria e kohës, nga dimensioni abstrakt filozofik merr konotacion veprimi dhe konkretësie.
*Kryetar i Kuvendit të Kosovës