Ndërkohë që Snowdeni është larguar nga Hong Kongu, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se vendet që do ta ndihmojnë atë t’i shpëtojë drejtësisë amerikane do të kenë pasoja.
“Të gjitha vendet që duhet janë njoftuar për statusin e tij ligjor, dhe është një masë e përshtatëshme që ato të paralajmërohen se ai është një person që ndiqet penalisht nga Shtetet e Bashkuara nën tri akuza kriminale”.
Ekuadori po e shqyrton kërkesën e Snowdenit për strehim politik. Ministri i Jashtëm Ricardo Patino tha se Snowdeni beson se nuk do t’i bëhet një gjyq i drejtë në Shtetet e Bashkuara.
“Personi që synon të zbulojë akte që prekin liritë themelore të të gjithë njerëzve e gjen veten nën ndjekjen pikërisht të atyre njerëzve që duhet t’u shpjegojnë qeverive dhe qytetarëve të botës ato çfarë ka zbuluar zoti Snowden”.
Sekretari Kerry tha se Snowdeni ka vënë në rrezik strategjinë amerikane kundër terrorizmit.
“Ai ka vënë në rrezik individë dhe ka mundësi që veprimtaria e itj t’u kushtjë jetën njerëzve në Shtetet e Bashkuara sepse terroristët kanë tani dijeni për diçka që duhet të shmangin e që nuk e dinin më parë, por e mësuan nga ai”.
Përkrahësit e Snowdenit thonë se si ngriti zërin për të drejtën e privatësisë dhe zbuloi gabimet e qeverisë në mbledhjen e tabulateve telefonike dhe komunikimit në Internet.
“Të gjitha qeveritë, shumica e qeverive e bëjnë këtë, Kina e bën, po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara. Prandaj, mendoj se ajo që bëri ai ishte një akt shumë i guximshëm. Ai ishte gati të sakrifikonte gjithçka për të”.
Kerry i tha Zërit të Ameriks se Snowdeni nuk ishte si ata që ndihmuan në zbulimin e politikave sekrete amerikane gjatë Luftës së Vietnamit.
“Ai ka tradhëtuar vendin sepse ai kishte bërë një betim. Ai ishte betuar se do të ruante sekretet. Ai kishte qasje në dokumente sekrete për shkak të atij betimi, por ai e shkeli atë. Ai nuk e ka shkelur atë në asnjë formë të ngjashme me atë të Daniel Ellsbergut apo të dikujt tjetër që ka zbuluar gënjeshtrat e qeverisë ose ka patur pikëpamje të gabuara për diçka që po ndodhte. Ky individ nxorri informacion real pasi beson në diçka që nuk justifikohet nga faktet”.
Në një intervistë me gazetën The Guardian, Snowdeni tha se donte të ndihmonte njerëzit të vendosnin vetë nëse përgjimi ishte i drejtë.
“Mendoj se publikut i duhen shpjeguar motivet e këtij programi që janë jashtë modeleve të demokracisë”.
Por sekretari Kerry thotë se programi i përgjimit mbron të drejtën e njeriut për të jetuar i lirë nga terrorizmi.