“Ka disa vendime që duhet të merren me maxhorancë prej 5 votash. Politikanët ta bëjnë KQZ plotësisht operacionale dhe ta plotësojnë atë. Ashtu si e ka thënë edhe baronesha Ashton dhe komisioneri Fule duhet të jetë një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për mendimin tim nuk është kurrë tepër vonë, për të siguruar që KQZ është plotësisht e formuar, kjo është çështje e lidhur ngushtësisht me besimin që kanë zgjedhësit në proces”- tha Sequi.
Sequi ritheksoi të njëjtin mesazh, që Ashton, Fyle dhe Reeker kanë deklaruar, se këto zgjedhje janë test për institucionet demokratike të vendit, çka nënkuptohet, se ato janë nën kuadrin e plotësimit të kriterit politik të Kopenhagenit. Sequi konfirmoi edhe njëherë se procesi po monitorohet nga afër.
“Ata duhet të sigurohen të ndodhin dy gjëra: që së pari zgjedhësit shqiptarë të kenë besim te procesi, ta pranojnë rezultatin dhe të kenë respekt për rezultatin. Ndaj të njëjtin mendim me Reeker, se ne si BE jemi në dakordësi të plotë me SHBA për procesin zgjedhor dhe zgjedhjet. Kjo është tepër e rëndësishme, pasi zgjedhjet janë të rëndësishme për institucionet demokratike të vendit, janë test për të, për ecurinë apo progresin drejt BE. Mesazhi është votoni, shprehni qartë detyrimin dhe të drejtën tuaj. Ne po e monitorojmë procesin nga shumë afër, ashtu si do e shihni edhe në ditët në vijim”- tha Sequi.