Fyle: Mali i Zi duhet të përballet me sfida të brendshme të akumuluara

66
EC photo
EC photo

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Fyle është takuar dje në Bruksel, me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanovic. Fokusi kryesor i bisedimeve të tyre, ishte situata politike në vend dhe progresi në negociatat e pranimit. Diskutimi u përqendrua edhe mbi sfidat e axhendës politike si edhe mbi domosdoshmërinë e mbajtjes së ritmit të reformave për Malin e Zi.

Komisioneri Fyle ka deklaruar se, së fundmi, kemi akumulim të sfidave në axhendën poltike të Malit të Zi dhe se vendi ka filluar të përballet me to. Në lidhje me negociatat e pranimit, duke përfshirë edhe procesin e ekzaminimit, Fyle tha se po përparohej mirë, por ritheksoi rëndësinë e mbajtjes së momentit, për zbatimin e reformave të nevojshme.

E mirëprita konsensusin e gjerë politik, së fundmi, për adresimin e çështjeve që kanë dominuar axhendën politike në muajt e kaluar. Konkludimi i këtij procesi me një konsensus të njëjtë, do të jetë thelbësore për ndërtimin e besimit në institucionet demokratike të vendit”,- tha Komisioneri Fyle.

Komisioneri Fyle, nënvizoi se tashmë është thelbësore të procedohet me adoptimin e amendimeve kushtetuese, duke fuqizuar pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, siç është rekomanduar nga Komisioni i Venecias. Ai theksoi gjithashtu, se Mali i Zi tashmë ka nevojë të fuqizojë besimin në angazhimet e tij dhe aftësinë për progres në të gjitha çështjet që lidhen me fushën e sundimit të ligjit.

Mali i Zi deklaroi pavarësinë e tij më 2006 dhe vetëm në 2008, vendi aplikon për anëtarësim në Bashkimin Europian. Më 2010, Komisioni doli me një opinion të favorshëm për aplikimin e Malit të Zi, duke identifikuar 7 prioritetet kyçe, që nevojiteshin të adresoheshin për fillimet e negociatave dhe Këshilli i akordoi vendit, statusin kandidat. Më dhjetor 2011, Këshilli lançoi procesin e aderimit me synim hapjen e negociatave më qershor 2012, negociata të cilat filluan më 29 qershor 2012.

Në Raport Progresin e parë të përgatitur nga Komisioni Europian, për Malin e Zi, pas hapjes së negociatave të aderimit, KE konkludoi se vendi ka bërë një progres të mëtejshëm në ndërtimin e një ekonomie tregu funksional, ka përmirësuar aftësinë e tij në marrjen e përgjegjësive për një anëtarësim në BE dhe po vazhdon të përmbush kriteret politikë për anëtarësim në BE.

Më 18 dhjetor 2012 është mbyllur përkohësisht Kapitulli 25, që ka të bëjë me Shkencën dhe Kërkimin. Dhe më 15 prill 2013, kemi gjithashtu mbyllje të përkohshme të Kapitullit 26, që lidhet me Edukimin dhe Kulturën.

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Komunitetit Europian funksionojnë nëpërmjet Misionit të Malit të Zi në BE, në Bruksel, i cili është funksional që prej vitit 2006 dhe Delegacionit të BE-së në Podgoricë të Malit të Zi, funksional që prej nëntorit 2007.