Ai thotë se i gjithë Parlamenti duhet të shkonte në Shkodër për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj krimit dhe kriminelëve dhe jo vetëm opozita.
Ruçi:”Lidhur me kriminalitetin kam dëgjuar se përdoret shumë në retorikën politike dhe në luftën politike. Si fillim, dua të nënvizoj se ju jeni shumë të rinj dhe mund ta arrini atë ditë, e cila do të jetë dita e lumturisë së madhe për të gjithë njerëzimin, që të kemi një kohë pa krim dhe pa kriminalitet. Kjo është një luftë dhe një betejë që nuk është fituar askund dhe më vjen keq që bëhet kauzë politike.
Pikërisht lufta kundër kriminalitetit duhet të bashkojë faktorët politikë dhe jo t’i ndajë ata, të cilët e luftojnë dhe ata, të cilët e mbrojnë krimin. Për mua krimi nuk ka ngjyrë dhe për mua, kur ai të merr nuk të pyet as për kë voton dhe as kujt subjekti politik i përket, por ai të merr jetën për interesa të veta. Kështu që, në qoftë se thashë se ka plot gjëra që na bashkojnë, një nga ato është lufta kundër krimit.
Unë do të isha shumë i ndjerë dhe shumë i lumtur në qoftë se ai gjest që bëri dje opozita në Shkodër të mos bëhej në mënyrë të njëanshme, por ta merrte iniciativën opozita dhe i gjithë parlamenti shqiptar të shkonte në Shkodër, të gjithë deputetët me mua në krye, në mbështetje të të dëmtuarve dhe në rritjen e opinionit publik ndaj krimit dhe kriminelëve.
Sa më shumë të ndahen forcat politike, opinionet politike apo të shoqërisë dhe sa më pak të jetë unik qëndrimi i shoqërisë dhe i politikës për krimin, aq më shumë gjallërohet krimi dhe kriminaliteti.
Kështu që unë do të mbështesja çdo nisëm ligjore që forcon legjislacioni shqiptar, jo për të eliminuar krimin, sepse, siç e thashë, do të ishte lumturi e madhe për njerëzimin kur të vijë ajo ditë që të mos ketë më krim, por për të zvogëluar dhe minimizuar atë, ashtu siç do të mbështesja çdo iniciativë që do të bashkonte qëndrimet politike për të përballuar krimin. Ky është pozicioni im”.