Raporti i OKB-së, reagon Vatikani: S’keni marrë parasysh masat e reja

66

vatikaniSelia e Shenjtë ka reaguar ndaj raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi pedofilinë duke thënë se nuk janë marrë parasysh masat e reja të marra nga Vatikani.

Raporti sipas Selisë së Shenjtë reflekton një qëndrim më shumë ideologjik se sa faktik.

Në një deklaratë nga Vatikani thekosohet se  selia e shenjtë si përgjegjëse e qytetit të Vatikanit ka ndryshuar ligje, ka ndërmarrë masa që janë aplikuar menjëherë për parandalimin e abuzimeve seksuale tek fëmijët.

Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Fëmijës  një ditë më parë i ka bërë thirrje Vatikanit që të “largojë menjëherë ” të gjithë klerikët e akuzuar për abuzim të fëmijëve dhe t’i dorëzojë ata tek autoritetet civile.

Komisioni i kërkoi Vatikanit të pranojë abuzimin seksual të dhjetëra mijëra fëmijëve dhe të dorëzojë arkivat që zotëron mbi këtë çështje.  Është hera e parë që Selia e Shenjtë vihet përballë pyetjeve në një seancë ndërkombëtare kushtuar kësaj çështjeje.

Seanca e muajit të kaluar në Gjenevë ishte hera e parë që Vatikanit i duhej t’i përgjigjej pyetjeve të një paneli ndërkombëtar rreth priftërinjve pedofilë. Por Vatikani ka refuzuar të dorëzojë informacion për më shumë se 4 mijë raste, për të cilat është vënë në dijeni.

Papa Françesku ka krijuar një komision për mbrojtjen e fëmijëve. Por kritikët thonë se kjo është një përgjigje zhgënjyese nga një Papë që po bën shumë për të ndryshuar imazhin e kishës.