Kuvendi miraton ngritjen e Komisionit Hetimor mbi shkarkimet në polici

14

tabela kuvendiNjë tërheqje e papritur e mazhorancës, i ka hapur rrugë konsensusit të parë PD-PS. Palët ranë dakord për ngritjen e komisionit hetimor për emërimet dhe shkarkimet në policinë e shtetit.

Një propozim i kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u përkthye ne nisjen e negociatave mes kampeve politike në Kuvend, të përfaqësuara nga Fatmir Xhafaj nga PS dhe Oerd Bylykbashi në PD që u finalizuan në Kuvend me miratimin e kërkesës së demokratëve që do të hetojë lëvizjet në polici nga data 15 shtator deri në 31 janar.

Kërkesa mori 106 vota pro 3 kundër dhe 4 abstenim.

Komisioni do të ketë 2 muaj kohë për hetim. Ai do të përbëhet nga 15 anëtarë, 8 nga radhët e mazhorancës dhe 7 nga opozita, e cila do të ketë edhe kryetarin e komisionit hetimor.

Kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar përplasi ashpër palët politike në Kuvend për situatën e rendit.

Demokratet këmbëngulën se hetimi parlamentar është një e drejtë kushtetuese e pakicës, e domosdoshme përballë rënies së policisë së shtetit.

Por qeveria dha një tjetër panoramë, luftë pa krompromis ndaj krimit, që sipas Kryeministrit Rama po frymëzohet nga opozita.

Në Kuvend zbriti edhe aksioni i fundit i policisë, kapja e bandës së tritolit. Edhe këtë të enjte, Kuvendi zhvilloi një seancë maratone, prej afro 11 ore diskutime.