Rama: Nuk ka asnjë fakt apo provë për trafik droge

55

Rama-te-fevzo-1024x679Kryeministri, Edi Rama i ftuar në emisionin “Debat+” të gazetarit, Eduard Zalonshnja ka folur për atë që është problemi më i madh sot i shoqërisë shqiptare; drejtësinë.

Rama duke theksuar se, mazhoranca qeverisëse “do të bëjë çdo reformë që konsiderohet jetike për vendin” dhe shtoi se do të “kërkojnë konsensusin e opozitës për çdo gjë, edhe për ndalimin e gjuetisë”.

“Ne do të bëjmë gati reformën. Çfarë ka që kërkon konsensusin kushtetues, pra që kërkon 84 vota dhe që kërkon 70 plus 1. Ne do të bëjmë reformën në drejtësi. Ne do të vendosim një bazë të re”, tha kryeministri.

INTERVISTA

Rendi ka qenë kalë i betejës për opozitën. Opozita ka pretenduar se rendi është shumë keq. Ministri Tahiri tha se u ka dërguar vartësve një SMS, ku i kritikonte ata për keqësimin e situatës në muajin mars. Si e shikoni sot rendin? 

Nuk besoj se këtu ka ndonjë kontradiktë. E kam thënë që, deri më sot kritikët më të zjarrtë të qeverisjes jemi ne vetë, fatkeqësisht. Nga njëra anë, kur flasim për përmirësim, flasim në raport me diçka dhe ne nuk mund të krahasohemi me atë që ishte. Unë vetë do të isha habitur nëse ministri nuk do ta kishte bërë këtë. Ministri i Brendshëm është një prej njerëzve më kërkues që unë kam njohur, nga vetja dhe ndaj të tjerëve. Unë e kam njohur më parë dhe e them me krenari, shpresoj të ketë mësuar nga unë, se i tillë jam edhe unë.

Opozita tha se SMS-ja është dërguar nga ju? 

Këto janë përralla me mbret lakuriq.

Sot mediat nxorën një shkresë të SHISH-it ku flitej për avionë? Ju vetë e lexuat shkresën? A ju duk informacion apo dyshime? Ishte informacion mbi dyshime apo mbi fakte? 

Nuk ka asnjë fakt të vetëm dhe asnjë provë të vetme. SHISH-i në tërësi është një sistem i ngritur mbi dyshimin, kështu funksionon, dhe dyshimi u përcillet organeve të tjera, por nga dyshimi tek fakti e prova është një hendek shumë i madh. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme dhe të provuar minimalisht që të mund të flitet për një gjë të tillë.

Ka një shprehje që thotë që, opozitën dhe vëllain nuk e zgjedh dot… 

Vëllain ma ka zgjedhur mrekullisht dashuria e dy prindërve të mi dhe nuk kam ndjerë nevojën e ndonjë vëllai tjetër. Ndiej çdo ditë e më shumë keqardhje të mungesës së opozitës.

Energjetika më rezulton fusha ku pakënaqësia është më e dobët; ka një debat për çmimin e energjisë? 

Prirja jonë nuk është të mbulojmë përmes rritjes së çmimit, por përmes faturimit dhe bërjes që të paguajnë të gjithë ata që konsumojnë energji. Ne po ndryshojmë hap pas hapi sistemin e punës në këtë sektor. Kemi një draft që është prezantuar nga ministri Gjiknuri. Edhe ky ministër, jo vetëm po e justifikon, por po tregon një sens kthjelltësie, por edhe logjike, për të përballur këtë sfidë. Edhe këtu do të ketë një reformë radikale të sistemit të zhvillimit.

Mesazhi i ndërkombëtarëve ka qenë: Gjeni gjuhën e përbashkët me opozitën. Kukan deklaroi se, nëse nuk miratohet një deklaratë e përbashkët, kjo do të ndikojë edhe në vendimin për statusin në qershor. Pse s’e gjetët gjuhën e përbashkët? 

E pra, pse s’e gjetëm?! Ne kemi bërë një ndryshim shumë të madh në sjelljen e shumicës ndaj pakicës. Deri dje, ishim ne si pakicë që i drejtoheshim shumicës, nëpërmjet meje që i drejtohesha kryeministrit për t’u takuar, për të negociuar, dhe asnjëherë nuk ishte kryeministri që të më drejtohej mua. Sot kanë ndryshuar rolet. Sot jam unë si kryeministër që i jam drejtuar kryetarit të partisë më të madhe të opozitës për t’u ulur, për të dialoguar. Dhe, si kur ishin në pushtet, si tani në opozitë, japin të njëjtën përgjigje, me kushte. Mund të ulen dhe mund të na flasin për avionët e Divjakës. Duan të flasin për avionët që ulen në rrugën Levan-Tepelenë? Le të flasin!

A mendoni se duhet bërë edhe një përpjekje e fundit? 

Ne mund të bëjmë vetëm një gjë, që ne nuk e bëjmë dot që të ngrihemi ne dhe të ulen ata, këtë nuk e bëjmë dot. Ne bëjmë çdo gjë tjetër. Dhe nga ana tjetër, duke qenë se aty nuk jemi ulur as fshehurazi, dhe as kur ata nuk e kishin mendjen, por jemi ulur kur shqiptarët me mendjen top u thanë “tani çohuni!”. Ne nuk mundemi të merremi me ta çdo ditë dhe çdo orë, se do bëjmë punën. Ne kemi vetëm një ditë, të enjten. Ne do të matemi me zotimet tona. Ne nuk kemi kohë të presim ata.

Të mos harrojmë që reforma territoriale është shumë e rëndësishme, që bëhet një herë në 5 vjet? 

Reforma territoriale nuk është asgjë që bëhet një herë në 5 vjet. Është një proces që ka shumë konsultime me ekspertë. Kjo reformë është një çlirim i madh për vendin tonë.

Konsensusin e ka përcaktuar Kushtetuta 84 vota. Konsensus 100% nuk ka. 

Për të bërë reformën territoriale përmes 84 votave edhe mund të bëhet.

Për të ndryshuar sistemin e drejtësisë nuk e bën dot… 

Unë e kam thënë dhe e them: nuk janë njerëzit që korruptojnë një sistem, por është sistemi që korrupton njerëzit. Ne do të kërkojmë konsensusin e opozitës për çdo gjë, edhe për ndalimin e gjuetisë. E kemi kërkuar konsensusin e opozitës, por ne do të bëjmë çdo reformë që e konsiderojmë jetike për vendin, sepse për këtë jemi votuar.

Si do ndryshojë mënyra se si do të funksionojë Prokuroria? 

Unë jam krejtësisht i qartë. Kjo qeveri është qeveria e parë në historinë e pluralizmit, është një skuadër dhe nuk është një njeri. Reformat, as nuk i diktoj unë apriori, reformat ne i bëjmë me ekipe.

Për ndryshimet kushtetuese, opozita ka një rol të madh? 

Ne do të bëjmë gati reformën. Çfarë ka që kërkon konsensusin kushtetues, pra që kërkon 84 vota dhe që kërkon 70 plus 1. Ne do të bëjmë reformën në drejtësi. Ne do të vendosim një bazë të re.

Ambasadori holandez tha që, “duam shembuj konkretë të luftës kundër korrupsionit deri në qershor, që ne të bindemi që ky vend e ka seriozisht”?

Për çka më takon, mund të them që jam i bindur që në tryezën e Prokurorit të Përgjithshëm janë të gjitha faktet. Me patjetër Shqipëria do të hedhë një hap përpara. Lufta e qeverisë ndaj korrupsionit ka dy elementë, reforma, transparencë.

Zoti kryetar i PS-së, a i ka mënjanuar Edi Rama figurat e PS-së? I së njëjtës mendje është edhe Ben Blushi, i cili deklaroi se, “PS-ja nuk mbledh asnjë forum, as kryesi, as Asamble. Edi Rama është pa mandate kryetari”… 

Së pari, unë do ta nënshkruaja si tekstin tim gjithë tekstin që nxorët për të shoqëruar edhe zërin në çka ka shprehur Pandeli Majko. Jam 100% i të njëjtin mendim dhe nuk i heq asnjë presje atij teksti. Unë kam një këndvështrim shumë të thjeshtë, që nuk është personal, por jam bazuar në ekspertizën që është bazuar tek Labor e Toni Blair. Kam qenë unë që e kam futur pas fitores sime parimin “një anëtar-një votë” dhe as në Labor party dhe në asnjë parti tjetër kur partia fiton zgjedhjet dhe kryetari është kryeministër, partia nuk hyn në zgjedhje për kreun e partisë. Që në atë moment partia kthen kokën nga populli. Parti në pushtet është qeveria e grupit parlamentar, nuk është strukturë jashtë këtyre të dyjave që duhet të mblidhet dhe të marrë vendimet.

Në statutin tuaj është e përcaktuar që duhet të bëhen zgjedhje, apo jo? 

Këto janë interpretime. Ajo që di unë partitë që kanë zgjedhje me “një anëtar-një votë” dhe liderin e kanë kryeministër nuk bëjnë zgjedhje, dhe, sa kohë lideri është kryeministër, nuk ka sens. Unë nuk bëj polemika në televizione me asnjë nga kolegët e pjesëtarët e PS-së, unë konfirmoj atë që kam thënë. Nuk e kam përgjigjen për Benin; e kam qëndrimin timin të shpallur. Ne nuk do shpikim asgjë të re, do ndjekim atë rrugë që kemi nisur, duke ndjekur ata të cilëve u referohemi.

Blushi ka bërë një akuzë që flet për një letër që 400 anëtarë kanë dërguar kundër tij dhe thotë që, Rama fishkëlleu dhe ata kërcyen… 

Unë nuk u fishkëllej njerëzve dhe nuk kam asnjë sekondë të merrem me fishkëllima.

Ka një situatë në PS, sa herë ka mbledhje të grupit parlamentar, ku njerëz të thjeshtë kapin për mënge deputetë e ministra… A po e dëgjoni zërin e këtij populli? 

Përgjegjësia jonë është të qeverisim Shqipërinë dhe të jemi të drejtë me të gjithë, edhe me militantët tanë. Sa u përket skenave që ju keni parë, besoj që është normale. Në kushtet që ne e kemi gjetur vendin, njerëzit kanë shumë halle. Një pjesë dërrmuese e letrave që unë marr nga qytetarët kanë lidhje me gjyqtarët, gjykatësit. Njerëzit, edhe kur kërkojnë një zgjidhje për punë, sigurisht drejtohen tek ata që mendojnë që mund t’ua zgjidhin. Ne do bëjmë që të hapen vende të reja pune.