Rama: Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pagjykuara

42

rama-ne-kuvend2-1024x645

Fjala e Kryeministrit të vendit Edi Rama, përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Si sot, në të njëjtën datë, 11 shtator, viti 2001, një kërpudhë tymi, e zezë me bisht të zjarrtë, u ngrit befasisht në qiellin e botës dhe e zaptoi të tërin.

Mbiu dhunshëm duke çelur një gropë të madhe gjaku e hiri mu në zemrën e botës së lirë, ku ne të gjithë jetojmë, pavarësisht dallimeve tona.

I zu vendin, me pahirin më të madh, që mendja mund të rrokë, dy kullave binjake – godinës më të lartë të Amerikës – dhe duke qëlluar Amerikën nga lartësia marramendëse e një urrejtjeje gjakatare, goditi rrufe krejt botën tonë.

Qysh atë ditë, bota jonë s’është më ajo pa armiq që njihnim pas Luftës së Ftohtë. S’është as ajo me armiqtë që historia e saj ka njohur gjatë Luftës së Parë apo të Dytë. Jetojmë në një luftë të re, ndoshta më e frikshmja deri më sot për nga natyra e armikut, për nga format perverse të shfaqjes së tij – herë si profet e herë si ushtar, herë si tribun e herë si diktator, herë si martir e herë si turmë.

Të vrarët e 11 shtatorit janë edhe të vrarët tanë.

Të vrarët në çdo front të kësaj lufte janë edhe të vrarët tanë.

Edhe të vrarët e 21 gushtit prej armëve kimike në Siri, janë edhe të vrarët tanë.

Eshtë një luftë, që për aq sa na takon, në shkallën shumë modeste të madhësisë e të peshës sonë gjeografike apo ushtarake, ka qenë dhe do të mbetet edhe lufta jonë.

Ne do të jemi krah për krah Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë, kundër çdo forme perverse të shfaqjes së këtij armiku të pamëshirshëm të lirisë, demokracisë, bashkëjetesës paqësore të besimeve dhe etnive.

Sepse ky armik, ka dalë nga errësira më e thellë e barkut të urrejtjes njerëzore, jo për të vrarë dhe goditur një vend apo një popull më vete, po për të shkatërruar çnjerëzisht mbarë botën e lirë dhe krejt ekzistencën tonë kështu siç e duam, në këtë botë ku liria s’është dot e përhershme nëse mbrojtja e lirisë s’është e përditshme.

Ja pse dua ta përsëris, sot, që në krye të kësaj fjale dhe nën të gjithë peshën e përgjegjësisë që ndjej ndaj Shqipërisë e shqiptarëve këtu, në këtë foltore, atë që pas barbarisë kimike të 21 gushtit mbi fëmijë, gra, pleq e burra të pafajshëm të popullit sirian, kemi thënë njëzëri, si unë si paraardhësi im dje në detyrë:

Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim, çdo vendim që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të marrë në frontin e kësaj lufte globale dhe, pa asnjë fije dyshimi edhe çdo ndërhyrje ushtarake që Shtetet e Bashkuara mund ta shohin të udhës të ndërmarrin për të ndëshkuar Kasapin e Damaskut.

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar hirësi klerikë,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuara deputete e deputetë,

Të nderuara zonja e zotërinj të ftuar,

Fort të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë kudo ku jeni,

Po bëhet dalëngadalë çerek shekulli prej dhjetorit të vitit 1990, kur Shqipëria rinisi udhëtimin e ndërprerë forcërisht, drejt Perëndimit.

Qysh atëherë s’ka fije dyshimi se kanë ndryshuar shumë gjëra.

Falë lirisë.

Falë energjisë së jashtëzakonshme dhe dhuntive të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Falë pse jo, edhe atyre punëve të mira që të zgjedhur apo drejtues e punonjës, në çdo nivel, kanë bërë në tërë këto vite në detyra shtetërore – përgjatë një rrugëtimi për ndërtimin e shtetit demokratik që rezultoi, shumë herë më i vështirë se çfarë e parafytyronim në çastin magjik, të shembjes së regjimit komunist dhe të thirrjes gjithëpopullore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.

S’ka dyshim se kur sheh mbrapa jo pak gjëra kanë ndryshuar aq shumë, sa duket sikur s’kanë ekzistuar kurrë siç i mbajmë mend.

Por s’ka dyshim edhe se jo të gjitha ndryshimet i kanë ndodhur për mirë trupit, shpirtit, mendjes, kujtesës dhe imagjinatës së Shqipërisë që rrugëton për t’u ribashkuar me Europën.

Ashtu sikundër s’ka dyshim, besoj, se ndër gjërat që nuk kanë ndryshuar qysh nga ora e atij dhjetori historik, mbetet aspirata e papërmbushur e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për demokracinë e çdo dite; për cilësinë, forcën, qëndrueshmërinë që ka demokracia e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, kur duhet të sigurojë liritë e të drejtat e qytetarit shqiptar; kur duhet të mbrojë interesin kombëtar, publik e vetjak të tij; kur duhet të garantojë sigurinë dhe pronën e tij.

Jo liria që e kishin fituar në dhjetor; jo pluralizmi që e kishin garantuar që në marsin e parë pas Lëvizjes së Dhjetorit; jo rruga drejt Bashkimit Europian e NATO-s që populli i tërë e kishte zgjedhur në orën e parë të lirisë, dhe të tëra partitë e kishin miratuar pa ekuivok në programe; po pikërisht, aspirata për demokracinë e çdo dite, çoi në revolucionin me votë të marsit të dytë të lirisë, në vitin 1992.

Po kjo aspiratë, e pandryshuar në thelb sepse e papërmbushur në kohë, i çoi shqiptarët drejt kutive të votimit edhe në 23 qershor.

E njëjta aspiratë për demokracinë që duhet të funksionojë për qytetarin përmes institucionesh në shërbimin e tij; e njëjta domosdoshmëri mirëfilli jetike për shtet që mbron jetën dhe pronën e qytetarit; e njëjta nevojë që ligjet të mos jenë letra, rregullat të mos vlejnë vetëm për më të dobëtit, suksesi i fëmijëve të mos varet nga mbiemri, vendi i punës të mos lidhet me biografinë apo dialektin, liria e tubimit të mos paguhet me bukën e gojës; e njëjta shtysë e brendshme për të rivënë në vend, dinjitetin e nëpërkëmbur nga vrasjet e përqeshura, dokrrat e pambarimta, dështimet e pashembullta; e njëjta revoltë në zemër për sukseset imagjinare, gënjeshtrat shumëvjeçare, dyfytyrësinë spektakolare; po edhe e njëjta ndjenjë përgjegjësie, për të tatëpjetën e rrënimit të vendit dhe rrënimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e botës e të miqve ndërkombëtarë; bënë që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi t’i japin jetë paqësisht me votë, ndryshimit të dytë të jashtëzakonshëm politik në këto dy dekada liri.

Përsëri edhe njëherë, aspirata e papërmbushur për demokracinë e çdo dite, bashkoi në kutitë e votimit Veriun me Jugun, socialistë me demokratë, aktivistë me indiferentë; solli në rrugën drejt zgjedhjeve shumë gra e të rinj – po dhe shumë familje emigrantësh në kërkim të kohës së mirë të atdheut; vuri në jetë një proçes elektoral që megjithë institucionet groteske dhe prirjen tradicionale të pushtetit për të manipuluar rezultatin, u kthye në erën imponuese të një ndryshimi të paqtë po radikal.

E së fundi, njësoj si në marsin e vitit 1992, Shqipëria s’u nda në dy blloqe nga një diferencë e vogël, po u bë bllok masiv për të vulosur me votë të lirë, një ndryshim historikisht të domosdoshëm dhe absolutisht të pakontestueshëm për të ardhmen e saj.

Këtë pasqyrë të historisë së re, nuk dua t’jua vendos përpara të humburve të 23 qershorit.

S’është as qëllimi im sot dhe as vizioni im për qeverisjen e katër viteve të ardhshme, që të marrim kohën e punëve të panumërta të qeverisë dhe kohën e shqiptarëve që na votuan për shumë punë e pak fjalë, duke i bërë karshillëk opozitës.

Unë besoj se shqiptarët na votuan ndër të tjera, edhe për t’i dhënë fund atij karshillëku banal ndaj opozitës që mori jetë për vite me radhë në këtë foltore, e në këtë sallë.

Pasqyra e historisë së re na vlen në radhë të parë ne, fituesve, për të mos e harruar asnjë çast se thellësinë e fitores së 23 qershorit, njësoj si atë të marsit ’92, nuk e përcaktoi dëshira për t’u ndërruar njerëzve vendet në këto karrige.

As dëshira për të ndërruar kryeministrat e ministrat apo partitë e djathta e të majta, me njëra-tjetrën në pushtet. Jo! Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë – duke nisur padyshim nga ndryshimi i modelit qeverisës.

Ja pse sot unë vij për ta marrë detyrën e lartë me ndjenjën e një përuljeje që ndoshta, nuk do ta kisha pasur kaq të thellë pas një fitoreje të zakonshme në përmasë e në përmbajtje.

Ja pse vij me vullnetin për ta mbajtur larg nga kjo shumicë e re qeverisëse në këtë sallë, çdo ndjenjë triumfalizmi, çdo shfaqje arrogance ndaj pakicës, çdo shprehje mendjelehtë të inercisë në rrugën e vjetër të përbuzjes ndaj përfaqësuesve të opozitës.

Ja pse vij i përgatitur për t’i thënë opozitës, drejtpërdrejtë në sy se, marr sot përsipër përgjegjësinë të sigurojmë që asgjë që neve vetë, na u mohua deri dje në opozitë për shkak të qeverisë së vjetër, nuk do t’i mungojë më tej opozitës për faj të qeverisë së re.

Unë besoj se, në fund të fundit, cilësia e bashkëjetesës demokratike të çdo dite nuk varet assesi nga fakti nëse biem ose jo dakord, por nga mënyra se si e jetojmë mosdakordësinë.

Duke u dëgjuar edhe pa rënë dakord apo duke u sharë pa u dëgjuar?

Duke respektuar tek tjetri kundërshtarin apo duke parë tek njëri – tjetri armikun?

Duke ndërtuar me durim kulturën e gjithëpërfshirjes apo duke ushqyer sa herë të vijë rasti dhe të ndizet mikrofoni traditën e dasisë?

Në fund vendos gjithnjë shumica, po është cilësia e bashkëjetesës ajo që ndryshon.

Me këtë besim dhe në respekt të çdo zgjedhësi të pakicës, unë e ftoj dhe mbështes Kryetarin e Kuvendit që të vigjilojë me paanësi nga lartësia detyruese e funksionit që mban, për të mos e lejuar vazhdën tradicionale të nëpërkëmbjes brutale të opozitës në këtë sallë.

Jam i bindur se me zgjedhjen e tij, dje, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, koha e ndërhyrjeve pa vend, fyerjeve pa shkak, batutave pa shije nga ajo lartësi drejt deputetëve në sallë dhe publikut në ekran ka perënduar përgjithnjë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Në radhë të parë për opozitën. Ashtu siç duhet të jenë të gjithë të bindur se është këputur, përgjithnjë, shiriti i pambarimtë i fjalimeve kryeministrore pa fillim as fund dhe ka perënduar edhe koha, kur kryeministri ndërhynte pas çdo deputeti të opozitës me librin e shtëpisë së tjetrit në dorë. Edhe ky është një lajm i mirë për të gjithë, sidomos për opozitën.

Si për ironi të fatit të vet, Partia Demokratike po fillon jetën opozitare me një kryetar që s’e ka deputet, po kryetar bashkie të Tiranës.

A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk i’a ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pa kursim në një mallkim që e ka lënë sot si pa kokë? Po sidoqoftë kjo nuk mund të bëhet çështja jonë.

Ne nuk kemi ardhur në këtë kuvend për t’i kërkuar opozitës ku e ka kokën, po për t’i ngritur Shqipërisë kokën lart.

1 milionë njerëzit që i dhanë jetë kësaj shumice të re, nuk votuan për të na ndarë ne, këtu, në fitues dhe në humbës, po për të mos mbetur ata vetë të humburit në inercinë e një lirie të zhveshur prej kuptimit të saj; një lirie ku në vend të demokracisë së çdo dite, njeriut të zakonshëm i kanë mbetur egërsia, pasiguria, padrejtësia që çdo ditë sjell me vete; familjes së zakonshme i ka mbetur ankthi që rritet përreth nga varfëria, papunësia, grabitjet dhe vrasjet; Shqipërisë së zakonshme i ka mbetur vala e një shkatërrimi epokal mu në kurrizin e vet, që përpin përditë tokë buke, shtretër lumenjsh, pyje, plazhe, kodra, monumente kulture, si të ishte luhej një film i projektuar nga armiqtë më të betuar të këtij vendi.

Ne jemi votuar për t’i dhënë në këtë vend lirisë së njeriut, familjes, atdheut, kuptimin jetik të demokracisë së çdo dite dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve cilësinë demokratike të respektit të shumicës për pakicën.

Ne besojmë se zanafilla e kësaj përpjekjeje është e do të jetë këtu, në këtë sallë, ku lirisë për të folur, replikuar, votuar, do t’i japim për katër vjet me radhë kuptimin e demokracisë parlamentare si shëmbëlltyra e prekshme e demokracisë në tërësi.

Do ta bëjmë këtë duke dëgjuar me vëmendje të madhe çdo qëndrim të opozitës, duke e respektuar atë me respektin më të madh për veten, duke i krijuar asaj vijimësisht hapësira për t’u bërë pjesë e vendimeve të këtij Kuvendi.

Por të jetë e qartë për të gjithë:

Ne do të dëgjojmë, po do të udhëheqim.

Ne do të dialogojmë, po do të marrim vendime.

Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera, po do të qeverisim me vlerat dhe me bindjet tona të shpallura.

Ja vlerat tona:

Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës.

Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit;

Solidariteti me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale.

Ja edhe bindja jonë:

Shqipëria meriton më shumë.

Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që e kanë lidhur këmbë e duar dhe po e mbysin.

Nuk e meriton Shqipëria as renditjen në fund të çdo tabele ndërkombëtare për standardet e jetës së shqiptarëve dhe të shërbimeve publike për qytetarët e saj.

As imazhin e rënduar si mos më keq në tërë këto vite, kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë jo natyrë, radhë jo zakon, vend jo model, nuk e meriton Shqipëria.

Shqipëria meriton më shumë sepse ka gjithçka i duhet që ky popull, të jetojë në një ekonomi normale, një shoqëri të sigurt, një vend të denjë mes të barabartësh në tryezën e Familjes së Bashkuar Europiane.

Shqiptarët meritojnë më shumë, sepse mund të bëjnë shumë më shumë, nëse kush flet, vendos dhe vepron në emër të tyre, nuk sheh thjesht interesat e punët e veta; nëse kush qeveris nuk i ndan dhe përçan për t’i sunduar, po i drejton me forcën bashkuese të shembullit; nëse kush bën dhe miraton ligje e rregulla nuk është shkelësi i parë i tyre, po i pari që ligjeve e rregullave u nënshtrohet pa kushte.

Ne jemi këtu për të bërë për Shqipërinë atë që atdheu ynë dhe bashkëqytetarët tanë pa dallim, meritojnë në katër vitet e ardhshme.

Vizioni ynë është Një Rilindje Shqiptare.

Misioni ynë është të ecim më shpejt, për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.

Funksioni ynë është mirëqeverisja për të përmbushur zotimet tona duke vënë në jetë, me kurajë dhe vendosmëri politika të reja dhe duke i dhënë jetë, një kulture të re të ushtrimit të pushtetit.

Zonja dhe Zotërinj,

Anomalia e tranzicionit ekskluzivisht shqiptar të pushteteve në rast rotacioni, krijoi qysh prej 23 qershorit një vakum shumë problematik.

Inercia e keqqeverisjes u kthye në një sprint vendimesh, privatizimesh, shpërblimesh.

Pa asnjë të drejtë morale.

Pa asnjë legjitimitet politik.

Pa asnjë sens etik.

Me legjitimitetin e pushtetit moral të popullit sovran, kemi kërkuar publikisht, qysh në fillim, seriozitet dhe vetëpërmbajtje nga ana e qeverisë në ikje.

Kemi paralajmëruar anulimin e çdo vendimi që do t’i binte ndesh këtij legjitimiteti dhe vetë interesave të publikut.

Fatkeqësisht, zëri i arsyes sonë ka rënë në vesh të shurdhër dhe fatura e cenimit të interesit publik në këta muaj është shumë e lartë. Por fatmirësisht, koha e ndërmjetme ka mbaruar dhe është koha jonë të fillojmë punën, për të lidhur fjalët me veprat.

Dua të jem i qartë në këtë pikë për raportin e shumicës së re dhe të qeverisë sonë, me dëmet e kohës që iku:

Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pa gjykuara që janë bërë.

Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës.

Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre.

Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij.

Mandati ynë na është dhënë për të bërë transparencë të plotë, të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion e krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur.

E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pronat e shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në kuvend.

Jo për të zhbërë gjithçka që është bërë, po për të mos lejuar që ç’është bërë keq për vendin apo për shqiptarët e pambrojtur, të mbetet keq dhe të përsëritet pastaj edhe më keq në dëm të vendit apo të njerëzve të pambrojtur; jo për të goditur biznesin, po për të nisur demokratizimin e ekonomisë dhe marrë në mbrojtje interesin e publikut; jo për të dekurajuar investimet e huaja me politika antiglobaliste, po për t’u dhënë fund praktikave antishqiptare të lidhjes së fatit të investimeve të huaja, me oxhakun e shtëpisë time.

Ne, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, nuk kemi padyshim as mandat për të bërë sehir rrënimin e sistemit të drejtësisë në këtë vend.

I yni është një mandat që na është dhënë, qëllimisht, i blinduar nga populli Sovran, deri në pragun e shumicës së cilësuar; për të bërë me vizion, kurajë, ritëm të lartë, reforma të mëdha të shtetit dhe për të mos i ngritur duart lart para popullit që kërkon drejtësi, duke u mjaftuar me shprehjen “prokuroria është e pavarur, gjykatat janë të pavarura”.

Sigurisht, që organet e drejtësisë janë të pavarura sipas Kushtetutës së Republikës sonë. Po fati i përpjekjes për një drejtësi të drejtë, varet padyshim edhe nga parlamenti, edhe nga qeveria, edhe nga vet shoqëria po e po.

Ne do ta bëjmë Kuvendin dhe qeverinë pjesë shumë aktive të kësaj përpjekjeje, për shqiptarët, po edhe për vendin tonë në Familjen Europiane – ku s’do të ketë vend për ne në tryezën e të barabartëve, nëse s’do bëhemi të barabartë para ligjit këtu, në këtë vend.

Dora jonë e bashkëpunimit me pushtetin gjyqësor do të jetë e shtrirë pa kushte.

Në katër vitet që vijnë, opinioni brenda sistemit të drejtësisë do të dëgjohet me respekt për çdo vendim ose reformë, që lidhet me mirëfunksionimin e prokurorisë apo gjykatave.

Ne do të bëjmë çmos që t’i mbështesim organet e drejtësisë, me mjete financiare e logjistike për të përmbushur detyrimin e tyre kushtetues ndaj publikut në kushte sa më normale.

Por ne nuk do të rrimë duarkryq, as përpara shfaqjeve të përsëritura në sallat e gjyqeve, të triumfit të vrasësve të qytetarëve të pafajshëm apo të pafajësimit të killerave të policëve të vrarë në krye të detyrës; as përballë goditjeve të çekiçit të gjykatësve që ligjërojnë padrejtësira flagrante në dëm të këtij vendi dhe të shumë qytetarëve të pambrojtur që më kot e kërkojnë drejtësinë tek ata që vrasin; as ndaj spirales së korrupsionit në drejtësi që tërë këto vite e ka tërhequr poshtë e më poshtë pushtetin gjyqësor në Shqipëri.

Shumica jonë dërrmuese ka lindur nga një emergjencë demokratike dhe adresimi i kësaj emergjence kërkon, padyshim, një sens shumë të fortë të së drejtës; nga organet e drejtësisë padyshim, por nga qeveria në radhë të parë.

Në mbrojtje të bindjes sime të hershme se kur një vend qeveriset përmes padrejtësisë, është e kotë ta kërkosh drejtësinë në prokurori e gjykatë, dua t’ju them sot të gjithëve në këtë vend se sensi i të drejtës do të më udhëheqë, në çdo vendim e veprim si kryeministri juaj.

Kam besimin më të plotë se nga i njëjti sens i së drejtës do të udhëhiqet, çdo ministre dhe ministër i ri i Republikës dhe dua t’i garantoj kështu të gjithë se gabimet e mundshme, në ushtrimin e një përgjegjësie kaq të madhe sa e jona, nuk do të jenë mëkate të qëllimshme në dëm të Shqipërisë e të qytetarëve shqiptarë.

Askush në këtë sallë nuk ka de jure imunitet kushtetues dhe askush ndër ne, përfaqësuesit e kësaj shumice të re, nuk do të lejohet të marrë de facto kurrfarë imuniteti të posaçëm, në marrëdhëniet me ligjin dhe me shtetin.

Por nga ana tjetër, kjo shumicë nuk do të njohë asnjë formë imuniteti të askujt që të drejtën për të kërkuar apo dhënë drejtësi, qoftë prokuror apo gjykatës, e kthen në një mjet për të përfituar lekë dhe pasuri të patundshme duke bërë padrejtësi.

Ministrat tanë s’do të kenë as mandatin e deputetit, për të qenë tërësisht në dispozicion të detyrës së lartë por edhe, për të mos pasur asnjë alibi dhe mburojë tjetër veç rezultateve të tyre në punë.

Sipas një praktike të mirë të djepit të demokracisë moderne, Britanisë së Madhe, ne do të miratojmë në mbledhjen e parë të qeverisë Kodin Etik të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Ky kod do të sanksionojë angazhimin formal, të secilit dhe të gjithë skuadrës qeveritare të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për të qëndruar në detyrën e lartë me nderin dhe me dinjitetin që shqiptarët menduan se do të kemi në qeverisje, kur na dhanë 1 milionë vota.

Ata e dërrmuan me plotë 1 milionë shuplaka pushtetin e forcës, sepse duan të qeverisen nga pushteti i shembullit.

Ne jemi këtu për t’ua plotësuar këtë ekzigjencë themelore dhe për të qeverisur me forcën e shembullit.

Kolege dhe kolegë deputetë,

Unë e ndaj në çdo pikë e presje me Kryetarin e këtij Kuvendi, fjalën që na adresoi dje dhe dua veçanërisht të rinënvizoj se përsa na takon armiqtë tanë nuk janë në këtë sallë. Nuk janë as në opozitë me qeverinë jashtë kësaj salle.

Po janë përballë të gjithëve ne pa dallim:

Varfëria dhe Papunësia!

Ne jemi këtu për t’i luftuar pa pushim këta armiq, duke e nisur çdo ditë të re me kundërvënien ndaj varfërisë së aspiratave dhe duke e ushqyer përditë qeverisjen tonë, me aspirata të larta për Shqipërinë.

Shqipëria e varfër e 1 milionë të papunëve, pas gati çerek shekulli liri, është më së pari pjellë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë udhëhequr duke e tradhtuar;

Shqipëria e gjysmës së më të rinjve analfabetë funksionalë, dy dekada dhe kusur pas rënies së komunizmit, është më së pari bijë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë drejtuar duke e gënjyer;

Shqipëria e prapambetur e shqiptarëve pa ujë për të pirë e as vaditur, pa legalizime dhe as kanalizime, pa asnjë shërbim publik sipas nevojës po vetëm sipas xhepit, mu në mes të Europës së shekullit XXI, është më së pari viktimë e atyre që e kanë qeverisur duke e harruar.

Ne s’do ta harrojmë asnjë ditë Shqipërinë që vuan për ujë, punë, shërbime dhe nuk do t’i tradhtojmë dhe gënjejmë asnjëherë shqiptarët.

Nëse do të ngecim diku, do të japim shpjegime.

Nëse do të gabojmë diku, do të kërkojmë ndjesë.

(VIJON) (marrë nga “Dita)