Rama fton biznesin e Kazakistanit të investojë në Shqipëri

54

rama_2013Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Kazakistan. Azia e largët po kthehet në një pikë takimesh të shpeshta për kreun e qeverisë Edi Rama, takime që në çdo rast kanë kryefjalë bashkëpunimin ekonomik. Pasi vizitoi Azerbajxhanin, kreu i qeverisë është rikthyer në Azi për një vizitë dyditore në Kazakistan, një nga vendet me tokën më të pasur me rezerva natyrore të gazit, naftës, uraniumit, arit dhe diamanteve, që ia lehtëson ndjeshëm këtë bashkëpunim çdo vendi. Kreu i qeverisë, Edi Rama i shprehu Presidentit të Kazakistanit, gatishmërinë e qeverisë për të mirëpritur investitorë e këtij shteti, të investojnë në fushën e transportit, naftës e gazit, ku Kazakistani është një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë, por edhe në fushën e turizmit e infrastrukturës.

Nga ana tjetër Nazarbayev iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Rama për të vizituar së shpejti Shqipërinë, bashkë me një grup sipërmarrësish nga Kazakistani, të interesuar për të investuar në Shqipëri. Investitorët e Kazakistanit janë sot ndër më të fuqishmit në Europë, me një vëllim investimesh prej 26 miliardë dollarësh. Kryeministri Rama zhvilloi një takim të veçantë edhe me homologun e Kazakistanit, zotin Karim Massimov, ku u diskutua kryesisht për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. I shoqëruar në këtë takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryeministri Rama theksoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në fushën e turizmit, energjisë, por dhe të infrastrukturës e transportit. Në fund të takimit u firmos edhe një marrëveshje dypalëshe mirëkuptimi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Një nga projektet e mëdha të diskutuara, edhe nga kryeministri i Shqipërisë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, ishte mundësia e zhvillimit dhe investimit në një sistem hekurudhor modern, që mundëson lidhjen mes porteve shqiptare dhe rrjetit hekurudhor evropian dhe aziatik. Kryeministri Massimov theksoi nevojën për të nënshkruar sa më shpejt dy marrëveshje kryesore, në fushën e nxitjes së tregtisë dhe shmangies së taksimit të dyfishtë mes dy vendeve.