Jetojmë në një kohë kur secili e ndien veten të detyruar të valëvisë në erë flamurin e shpalosur të indinjatës së vet, dhe të japë shenjë se e ka parë mirë flamurin e bashkëbiseduesit. Nuk di të them nëse këtu kemi një çrregullim të rëndë, për ata që duan të kuptojnë realitetin e sotëm, veçantitë e jetës, të njerëzve dhe nga ana tjetër sjelljen e politikës shqiptare me ta. Është diçka se kur e le pas dore, nuk kap më nuancat, kur i jep shumë rëndësi, nuk kap më dot thelbësoren.
Në ditët tona ky mund të konsiderohet një nocion i dykuptimtë. Nga fakti se, Edi Rama një pjesë mjaft të mirë të drejtorive kryesore, dhe jo vetëm, i ka uzurpuar me shokët e tij të fëmijërisë, besoj se nuk është e nevojshme për t’i sjellë në kujtesë për opinionin publik shqiptar, pasi kjo tashmë është mjaft e qartë për të gjithë.
Por nëse na lejohet të bëjmë një pyetje të vetme, a mund të themi ne, nëqoftëse njëra nga ministret përkatëse i kërkon llogari ndonjë ditë shokut të fëmijërisë së kryeministrit, a do ta marrë aij parasysh këtë? Sigurisht që po! Jemi të vetëdijshëm se Rama i ndan mjaft mirë punët e shtetit nga ato të shoqërisë së tij. Madje, edhe nëse diku-diku shihet mjaft qartë ndonjë mik fëmijërie, e gjithë kjo ka të bëjë me faktin se ata plotësojnë të gjitha kriteret profesionale që bëjnë të mundur marrjen e asaj detyre.
Ah, sa bukur. Ah, sa i madh është ky njeri. Nuk di të braktisë askënd në jetën tij, aty të gjithë çilimijt e vegjël të pallatit i ka mbledhur rreth e rreth vetes, po ashtu si shumë kohë më parë kur ndoshta luanin kosar polic apo topa-lufta përpara pallatit, po tani, pas shumë e shumë vitesh më pas, i ka mbledhur përsëri pranë vetes, por krejt ndryshe si më parë, tashmë është komondanti.
Kësisoj, ne duhat ta themi me të madhe atë aksh gjë që po na shqetëson, e cila vazhdon ta bëjë akoma edhe më të brishtë ekzistencën, pasi plaga mbetet gjithmonë e hapur. Cipa që ka zënë në sipërfaqe nuk është forcuar kurrë. Për hiçgjë dhembja rifillon, nganjëherë për një gërvishtje të vogël, apo ndoshta nga një përkëdhelje e ngathët.
Megjithatë, kjo padyshim nuk mund të konsiderohet një shpikje e Ramës, dreqi ta hajë; të jemi të saktë me këtë, pa dashur të mos e cenojmë aspak kredibilitetin e tij të madh dhe të paanë. Kemi vite që po ndjejmë se gjërat në këtë vend janë bërë prej kohësh në këtë mënyrë, kështu janë drejtuar mbretëritë, kështu janë drejtuar qeveritë, kështu është drejtuar edhe diktatura, madje kështu ka kohë që po drejtohet edhe demokracia.
Por nuk duhet të harrojmë se e gjithë kjo mënyrë qeverisje nuk ka zgjatur edhe aq shumë, ka pas një kohë në të gjitha llojet e pushtetit, që dalëngadalë është filluar të hahen më parë kokat e shokëve, më pastaj të të tjerëve. Një rregull po aq absolut, sa ç’mund të jetë çdo gjë relative.
Andaj, që e kaluara të bëhet e kaluar nuk mjafton të kalojë koha. Që një shtet të vërë një kufi mes këtij të sotmit dhe atij të djeshmit, duhet të vendosë një kufi hipotetik ku në radhë të parë të vendosë dinjitetin, respektin për veten, profesionalizmin e vet, duhet të ketë në arkiv të vet thesare të paçmueshme meritokracie që sa herë të lindë nevoja të dijë ku t’i përdorë, suksese ekonomike bindëse, si dhe realizime konkrete të admirueshme nga të tjerët, dhe jo llafe, e vetëm llafe. Autodidaktët janë njerëzit më të rrëzikshëm të dijes, kështu të paktën na thotë një filozof mjaft i njohur, dhe të rrëzikshmit e parë…ke shokët e tu, i dashur kryeministër i vendit tonë.