Qeveria akordon ndihmë për familjen e Lirak Bejkos

61

Lirak BejkoNë mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar vendimin për dhënien e një ndihme financiare për familjen e të ndjerit Lirak Bejko.

Familja e ish-të dënuar politik, pjesëmarrës në grevën e urisë të nëntorit 2012 që i dha fund jetës duke i vënë flakën vetes, do të marrë 500 mijë lekë ndihmë.

Sa u takon vendimeve të tjera, Këshilli i Ministrave miratoi planin e veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe vendimin për lirimin nga detyra të Simon Mirakës dhe emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve të Bedri Blloshmin.

VENDIME:

1.Miratim i planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Është miratuar në këtë mbledhje plani i veprimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të cilin janë përcaktuar hapat konkretë që duhen ndjekur përgjatë muajve në vijim, me fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

2. Për lirimin nga detyra të z.Simon Miraka dhe emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve të z.Bedri Blloshmi.

3. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, nën Instrumentin e Asistencës së Paraaderimit (IPA), komponenti II – bashkëpunimi ndërkufitar, për vitin 2012.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi bashkëpunimi, që do të mbështetet nga fondet financiare të IPA-s për vitin 2012, është promovimi i veprimeve të përbashkëta ndërmjet njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve të zonave kufitare, me synim arritjen e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë, zhvillimit të qëndrueshëm, stabilitetit dhe prosperitetit në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

4. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, nën Instrumentin e Asistencës së Paraaderimit (IPA), komponenti II – bashkëpunimi ndërkufitar, për vitin 2013.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi bashkëpunimi, që do të mbështetet nga fondet financiare të IPA-s për vitin 2013, është promovimi i veprimeve të përbashkëta ndërmjet njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve të zonave kufitare, me synim arritjen e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë, zhvillimit të qëndrueshëm, stabilitetit dhe prosperitetit në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

5. Për një fond në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për dhënie ndihme financiare familjes të të ndjerit Lirak Bejko.

Me këtë vendim i jepet një ndihmë financiare në masën 500. 000 lekë familjes së të ndjerit Lirak Bejko, ish i dënuar politik, pjesëmarrës në grevën e urisë të nëntorit 2012.

6. Për transferimin e objektit me emërtimin “Dampa e hirave – TEC”, pjesë përbërëse e pronës “Kombinati Energjetik, sh.a., Elbasan”, në pronësi të bashkisë Elbasan, të qarkut të Elbasanit.

Ky vendimin ka si synim përcaktimin e hapësirës për ndërtimin e Landfillit rajonal të përpunimit të mbetjeve urbane, për bashkinë Elbasan.

7. Për shfuqizimin e vendimit nr.658, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, dhe ripërtëritjen e fuqisë ligjore të disa pikave të vendimit nr.771, datë 7.11.2012, të Këshillit të Ministrave.

Vendimi synon shfuqizimin e vendimit nr.658, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, i cili hoqi kritere të rëndësishme, pa të cilat,  humbet kuptimi i organizimit të një shërbimi spitalor dhe ripërtëritjen e fuqisë ligjore të disa parashikimeve të rëndësishme të vendimit nr.771, datë 7.11.2012, të Këshillit të Ministrave.

PROJEKTLIGJE:

1. Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.3.1995, “Kodi  i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë përfshirjen në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda të veprave penale në fushën e korrupsionit, si dhe përcaktimin e dhënies së autorizimit për të proceduar në rastet e: arrestit, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, për deputetin, gjyqtarin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë.

2. Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Projektligji që do t’i propozohet Kuvendit për miratim synon zbatimin e masave parandaluese, me karakter pasuror, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarisë ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe nëpërmjet konfiskimit të pasurisë ndaj personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në fushën e korrupsionit.