A është territori i Dukatit, i dukatasve?!…

88

dukat fshatNga Prof. Dr. Ago NEZHA Po të bëjmë një retrospektivë të largët në lëmin e historisë, se si janë sjellë pushtetet me Dukatin dhe se si është sjellë Dukati me pushtetin, bilanci do rezultoi kontravers, se pushtetet e të gjithë kohërave, i kanë borxhe të mëdha Dukatit. Kjo s’është një retorikë që përdoret për të krijuar imazhin e sotëm të dukatasve, por një realitet i prekshëm, që aprovohet nga i gjithë opinioni shoqëror, jo vetëm në Vlorë, por në tërë Labërinë, e më gjerë. Dukati, si një fshat me vizion, por pa ju imponuar kërkujt, gjatë luftës Çlirimtare, pati një qëndrim të shprehur nacionalist, kombëtar. Rrymat politike që qarkullonin brenda fshatit, jo vetëm që nuk e turbulluan mjedisin shoqëror, por përkundrazi, krijuan harmoni, qetësi dhe ekuilibër që ruajtën unitetin dhe paqen, brenda misionit patriotik për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Burrat e mençur, që ishin në krye të formacioneve politike në Dukat, qofshin te Partia Komuniste, apo te Balli Kombëtar, respektonin pluralizmin e ideve dhe të mendimit, pa u bërë faktor përçarës apo denigrues për njëri tjetrin.

Këto vlera karakteriale, të mençurisë dhe vizionit te e ardhmja, i kanë dhënë Dukatit, një emër dhe prestigj mbarë kombëtar, që merret si model i unitetit dhe i bën ata krenarë, por njëkohësisht i ngarkon me përgjegjësi, që si pasardhës të tyre, ti ruajnë dhe ti çojnë më lart këto cilësi të trashëguara nga të parët. Traditat, mençuria dhe trimëritë, e bijve dhe bijave të shquara dukatas, që nga lashtësia me Dervish Aliun, Sheme Sadikun, Selman Hamitin, Sado Koshenën, Hodo Zeqirin, etj., janë transmetuar deri në ditët tona, si një pasuri që identifikon vlerat e fshatit. Jo rastësisht, Kuvendi Kombëtar për hedhjen e Italisë në det, në Maj të 1920, me në krye Osmën Haxhiun, u mbajt në Barçalla të Dukatit, si fshat i shquar për trimëri e besë. Por, të gjitha këto kontribute me vlera kombëtare, nuk i janë shpërblyer në standardet e merituara, në asnjë qeverisje të kohës. Edhe para 1944, në kohën e pushtuesve, edhe pas çlirimit të vendit, Dukati është parë me xhelozi, mandej dhe është përçarë dhe persekutuar, si lojë e regjimit, për të ushtruar influencën e tyre të mbrapsht. Goditjet ndaj Dukatit, kanë qenë të vazhdueshme dhe në drejtime të ndryshme, shpesh herë kaotike dhe pa adresë.

Dukati, nuk ka rënë preh e makinacioneve dhe e provokacioneve të kohës, se ka ditur të orientohet qartazi, nga i vjen rreziku dhe kush është shkaktari. Edhe provokacioni që ndodhi në 1943 nga forcat partizane, i provokuan dukatasit në shtëpinë e vet, ku padrejtësisht u vranë nëntë dukatas dhe 11 partizanë. Dukati, edhe këtë ndodhi, e quajti një fatkeqësi, që s’kish motiv dhe nuk kërkoi ndëshkim ndaj autorëve. Kjo pjekuri, mençuri dhe vetëpërmbajtje, ka bërë që edhe në vitet e ndryshimeve të sistemit, ku shumë fshatra që e mbanin veten si të përkëdhelurit e pushtetit monist, dogjën, shkatërruan dhe rrënuan jo vetëm ekonominë, por edhe pasurinë kulturore, si lapidarë, muze, shtëpi kulture e deri tempujt e dijes, shkollat. Ky fenomen i shëmtuar, nuk ndodhi në Dukat. Edhe në reformat demokratike, Dukati ka qenë i ekuilibruar. Është e vërtet që ai gaboi duke zbatuar ligjin famëkeq 7501, por edhe këtë veprim, e bëri si një respekt të qytetarit ndaj ligjit. Po të ndjekësh me kujdes, edhe votimet gjatë këtyre 22 vjetëve, do shohësh se Dukati ka votuar në përqindjen më të madhe për të majtën, jo se ka nostalgji, përkundrazi, mund të ishte opozitar ekstrem, por se ka parë që te kjo forcë politike ka një frymë më kombëtare, më demokratike, e europiane.

E për të gjitha këto vlera të shprehura në vite, nuk ka pasur as një shpërblim, as një privilegj, nga pushtetet e kohës, për të mos thënë që i janë mohuar që nga territori, investimet për infrastrukturën e deri te inkurajimi i turizmit, si një zonë e veçantë, që ofron të gjitha llojet e turizmit, deri te ai elitar,duke filluar nga ai bregdetar, malor, kulturor dhe familjar. Kam shkruar vazhdimisht për Dukatin, jo thjesht për nostalgji se jam biri i tij, por se gjithmonë, edhe në vitet e demokracisë, ka qenë poligon qitje nga predhat e pushtetit. Por këtë shkrim, e bëj i imponuar për të sensibilizuar opinionin shoqëror dhe për ti bërë thirrje pushtetit, për ta shpëtuar nga rreziku i fundit dhe jo i vetmi, që i kanoset Dukatit, në zonën e Llogorait. Rrallëkujt i janë mohuar pronat e të parëve të tyre, duke filluar nga Karaburuni deri në Llogora. Kërcënimi që i bëhet lokaleve të Llogorait kohët e fundit, është i paprecedent. Ky vend i bukur turistik, do kthehet në kullota për bagëti, apo do trajtohet si një oaz ku do mbushet me lokale, për tu argëtuar e shlodhur, jo vetëm turistë vendas, por dhe të huaj. Edhe para viteve të çlirimit, Llogorai, nuk ishte thjeshtë kullotë malore për blegtorinë, por edhe një vend turistik e klimaterik, ku vazhdimisht frekuentohej nga pushues. Aty ku kanë lokalin Haskojt sot, është ngritur mbi themelet e lokalit që kishte gjyshi i tyre, Muhamet Hasko, kryeplaku i fshatit, gjë që flet për origjinën turistike të asaj zone. Edhe gjatë sistemit socialist, u ngrit një fshat turistik me shtëpi druri nga arkitekti i talentuar dukatas, Pulo Nezha, që ishin një model i veçantë për zonat malore.

Le të kujtojmë për shumëkënd që nuk e di, se në kohën e socializmit, Llogorain e kërkoi Shteti Çek, me koncesion për dhjetë vjet, që të ndërtonte kampingje për pushues elitarë dhe pastaj t’ia falte shtetit tonë. Udhëheqja e kohës, nën trysnin e izolimit, nuk ua dha çekëve, se kish frikë, se mos sillnin degjenerim nga turizmi. Në Llogora, si një vend turistik, e klimaterik, në të kaluarën vinin dhe pushonin Dukët, ndaj e ka marrë edhe emrin, fshati Dukat. Mjafton të kujtojmë thirrjen e një vizitori të huaj dy shekuj më parë, që kishte shëtitur botën dhe kur kaloi në Llogora, u mahnit nga bukuritë natyrore të këtij vendi, duke e quajtur si më të bukurin që kishte parë gjatë udhëtimeve të tij në Europë, e Azi, dhe lëshoi thirrjen: “Shpëtoni Llogoranë për stërnipat e brezat që do vijnë, se nuk do jua fali koha”. Jehona e kësaj thirrje më vjen si oshtimë sot, ku bëj thirrjen publike, shpëtojeni Llogoranë nga shkatërrimi i lokaleve, se këtë vandalizëm, nuk do jua falin turistët vendas dhe të huaj, që për vite me radhë, janë argëtuar dhe kanë pushuar në këtë perlë të Maleve Akrokeraune. Ndërtimet e Llogorait, ndryshe nga ato të bregdetit, nuk prishin as planimetrinë e zonës dhe as cenojnë pronën e ndokujt. Sigurisht, ato ndërtime që prishin planimetrinë e zonës, duhen korrigjuar me kujdes. Natyrshëm lind pyetja? A janë më pronat e dukatasve të Dukatit, apo janë bërë pronë e pushtetarëve të radhës. Dara e pushtetit, po ja shtrëngon shumë “fytin” Dukatit. Në jug, i mohon Llogorain, në veri-perëndim Karaburunin dhe ai ka ngelur ulok. Dukatit i ka ngelu vetëm qielli, që të ngrejë kokën lartë dhe të falet e ti lutet perëndisë, o zot! shpëtona prej qeverisë. Shpresojmë se arsyeja e pushtetit të majtë, nuk mund të shkatërroj vlera turistike të pa riparueshme, ku vendasit i kanë ngritur me sakrifica të mëdha ekonomike, e një investim të mundimshëm. Po ka nevojë për rikonfigurim sipas natyrës, le të bëhet, por kurrë të mos prishen. Ato, nuk janë thjeshtë pronë e pronarëve në përdorim, apo të zonës, por e gjithë qytetarëve të vendit dhe të huaj, që kalojnë një ditë pushimi, shlodhen e relaksohen, në këtë vend me bukuri të rrallë natyrore.

Zëri i bashkuar i shoqatës

Shoqata Atdhetare-kulturore “Dukati”, që nga krijimi i saj e deri më sot, ka treguar integritet dhe ka luajtur një rol aktiv duke u përfshirë në veprimtari atdhetare, patriotike, historike dhe kulturore, të mbarë trevës së Dukatit. Kjo është meritë e të gjithë drejtuesve të shoqatës që nga themelimi i saj, e veçanërisht Kryetarit aktual, inxhinierit Mustafa Dedenika. Shoqata Dukati, ka shënuar arritje të dukshme e të padukshme, për evenimente që kanë lënë gjurmë, jo vetëm në kujtesën e dukatasve, por për mbarë opinionin shoqëror. Një nga të shumtat e sipërmarrjeve të shoqatës, ka qenë dhe mbetet problemi i pronave, që është edhe thembra e Akilit, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Sukseset në çdo aksion, arrihen kur jemi të bashkuar dhe “artilerinë” e gjuajtjeve, e shënojmë atje ku është pika më nevralgjike. Në mënyrë permanente, Dukati ka kërkuar që të korrigjohet marrëzia e ligjit 7501 për pronat, për të cilin është dhe vetë përgjegjës, që deri më sot ka zhveshur pronarin legjitim nga prona e trashëguar në shekuj dhe ka pronësuar njerëz që s’kanë asnjë lidhje juridike apo shoqërore, me përfitimin e kësaj pasurie. Dukati, nëpërmjet kuvendeve me përfaqësues të pleqësisë, tubimeve, revoltave, protestave masive, peticioneve, bisedave, dialogëve me përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor, ka konsumuar të gjitha mjetet demokratike, për të reflektuar legjislativi dhe ekzekutivi.

Kjo padrejtësi që ju bëhet pronarëve, është unikale vetëm për Shqipërinë, krahasuar me të gjitha vendet lindore, që erdhëm në pluralizëm, nga i njëjti sistem shoqëror. Shoqata Atdhetare, Kulturore Dukati, duhet të reagoj fuqishëm dhe në unitet, ndaj çdo tentative që cenon integritetin e pronarëve dukatas. Ka pasur edhe disa veprime anarshiste, të disa prej shoqatave të qyteteve, të qena e të paqena, që janë zgjuar me vonesë, si ata “sythat e fjetur” dhe duan të bëjnë protagonizmin e shpëtimtarit të fshatit, nga mohimi i pronave. Atyre do ju thosha: “ku ishte ti, o Brut!?”, kur Dukati ka vite që lufton për këtë padrejtësi shtetërore e shoqërore. Është detyrë e të gjithë dukatasve të mençur, ta ruajnë shoqatën nga individë të depersonalizuar moralisht, që për ego personale duan të mbjellin përçarjen. Problemet e mëdha, nuk zgjidhen duke u përçarë, por duke u bashkuar në një front unik, kudo ku ka Dukatas. Ndasia dhe përçarja në Dukat, nuk ka zënë vend edhe në situatat më kritike, nga as një rrymë politike apo ideologjike dhe nga asnjë pushtues, se krerët e fshatit, si burra të mençur dhe të matur, kanë ditur të ruajnë ekuilibrat brenda fshatit. Këtë traditë të mençur e të vyer, mos e shkelin me këmbë as sot dhe as nesër, brezat që do vijnë, se do jenë përgjegjës para historisë të Dukatit. Dihet, që prona është e shenjtë dhe është një trashëgimi që vjen nga thellësitë e shekujve në breza, ajo nuk është një monedhë që mund ta shkëmbesh me kursin e shkëmbimit të pushtetit paradë, që vijnë dhe ikën kaluar, me ndërrimin e pushteteve. Misioni i shoqatës, është që me urtësi, të kërkojë në mënyrë permanente,pa u tkurrur, të drejtat e komunitetit dukatas, nëpërmjet dialogut institucional në të gjitha instancat e pushtetit.

*Gazeta “Sot” www.sot.com.al