Qarkullimi i lirë: Raporti i Komisionit mbi situatën në BE

62

European CommissionKomisioni Europian ka publikuar raportin e tretë mbi funksionimin e Hapësirës Shengen. Raporti mbulon periudhën nga 1 nëntori 2012 deri më 30 prill 2013 dhe vlerëson aspektet kyçe të funksionimit të Shengenit, aplikimin e rregullave, dhënien e vizave dhe procedurat e sigurisë, si edhe situatën në kufijtë e jashtëm të Shengenit. Në këtë raport vlerësohet edhe situata në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

KE, ka publikuar raportin mbi vlerësimin e situatës në Hapësirën Shengen, me synim, garantimin e vënies në jetë të rregullave të përbashkëta, nga të gjithë anëtarët e Hapësirës Shengen. Qarkullimi i lirë, lejon më shumë se 400 milionë qytetarë të Unionit, që i përkasin 26 vendeve të tij, si edhe një numri në rritje të vendeve të treta, të qarkullojnë pa u kontrolluar në kufijtë e brendshëm.

Cecilia Malmstrom, Komisionerja Europiane e ngarkuar për Punët e Brendshme të Unionit, ka deklaruar, se Shengeni është një nga realizimet europiane më të çmuara dhe më konkrete. Ajo ka theksuar gjithashtu, se ekzistenca e kësaj hapësire është shumë e vlerësuar nga qytetarët e BE-së, duke përmendur gjithashtu edhe kontributin, që ky qarkullim i lirë ka mbi prosperitetin ekonomik. Për Komisioneren Malmstrom, garantimi i kësaj lëvizje, pra që kjo hapësirë të qëndrojë pa kontrolle kufitare, është një detyrim ndaj qytetarëve.

Raporti konsiston mbi vlerësimin e tre aspekteve të rëndësishme të Hapësirës Shengen:

Aspekti i parë, konsiston mbi aplikimin e rregullave të Shengenit, ku përgjatë periudhës së raportuar, deklarohet se, kontrolli në kufijtë e brendshëm është vendosur një herë nga Norvegjia, me rastin e ceremonisë të dhënies së çmimit Nobel të paqes në Oslo (më 10 dhjetor 2012). Midis 3-12 dhjetorit 2012, 3 136 persona janë kontrolluar, 19 prej tyre i’u është refuzuar hyrja në territor dhe 8 prej tyre janë ndaluar.

Kontrolle rastësore, kanë lejuar verifikimin në shumë shtete, pjesë e saj (me ndihmën e mekanizmit të vlerësimit Shengen) nëse rregullat e Shengenit ishin aplikuar në mënyrë korrekte, për sa i përket: bashkëpunimit policor (në Estoni, Letoni dhe Lituani) dhe vizave (në Estoni, Poloni dhe Sllovaki). Vlerësimet e kryera, nuk kanë evidentuar mungesa të natyrës, për të detyruar Komisionin të marrë masa të menjëhershme.

Aspekti i dytë konsiston në, dhënien e vizave dhe procedurat e sigurisë. Theksohet se Sistemi i Informimit mbi vizat (VIS) i vënë në jetë së fundmi në Afrikën Perëndimore dhe në Afrikën Qëndrore (mars 2013) funksionon tashmë në 5 rajone. Pritet aplikimi edhe në Afrikën e Lindjes, dhe në Afrikën Jugore (6 qershor 2013) në Amerikën e Jugut (5 shtator 2013) si edhe në Azinë Qendrore, në Azinë e Jug-lindjes dhe në Palestinë (14 nëntor 2013).

Më 9 prill 2013, Sistemi i Informimit Shengen i brezit të dytë (SIS II) ka hyrë ne fuqi me sukses. Ky Sistem konsiston në përqendrimin e informacioneve në një database të përbashkët, duke thjeshtësuar shkëmbimin e informacioneve, midis autoriteteve përkatëse.

Aspekti i tretë lidhet me situatën në kufijtë e jashtëm të Shengenit, ku është raportuar se kalimet e parregullta të kufirit janë sinjalizuar, në sasi të konsiderueshme nga Greqia, me një rritje me 52% më shumë, se, semestri i fundit i vitit 2011. Situata raportohet të jetë përmirësuar me shtimin e rojeve kufitare (1 800), në kufirin tokësor me Turqinë. Vetëm për periudhën tetor-dhjetor 2012, Italia ka proceduar me 31% të sinjalizimeve (4 231 persona) duke u ndjekur nga Greqia me 30% sinjalizime (4 035 persona).

Ndërkohë në lidhje me Ballkanin Perëndimor, një Mekanizëm monitorues, vlerëson situatën mbi liberalizimin e vizave. Raporti i Frontex, konkludon se vetëm për periudhën 31 dhjetor 2012 – 3 shkurt 2013, numri i aplikuesve për azil, në 5 vendet e Top Listës Shengen ka shënuar rënie me 44% në Janar 2013, krahasuar me të njëjtin muaj me vitin 2012.

Serbia, Mali i Zi dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, shënojnë ulje të kërkesave me (-61% nga Serbia, -45% për Malin e Zi dhe -46%  për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë), ndërsa vërehet rritje e konsiderueshme të kërkesave nga Shqipëria (+74%) dhe Bosnjë-Hercegovina (+51%). Destinacionet kryesore të kërkuesve ngelen Gjermania, e ndjekur nga Suedia, Belgjika, Zvicra dhe Luksemburgu.

Raportet e përpiluara nga Komisioni synojnë të jenë baza, për një debat në PE dhe në Këshill dhe të kontribuojnë për të përforcuar pilotimin politik dhe bashkëpunimin midis vendeve pjesë në Hapësirën Shengen. Propozimet e fundit legjislative, të prezantuara në shtator 2011 dhe negociatat e të cilave vazhdojnë të jenë në proces, synojnë një sistem vlerësimi dhe vëzhgimi, si edhe një mekanizëm vendimmarrës në nivel evropian, i cili do të lejonte  në situata të jashtëzakonshme, rifutjen e përkohshme të kontrolleve të brendshme të kufijve, në rast kërcënimi të rëndë të rendit publik dhe të sigurisë së brendshme.