Pse meshkujt dhunojnë femrat?

31

foto ilustruese

Nga Alban Blushi

Ribotim për shkak të pandërprerjes së dhunës ndaj femrave

Dhuna ndaj gruas është shndërruar në një fenomen të ndjeshëm, që nuk po njeh ulje. Vetëm kohët e fundit, 15 gra kanë kërkuar urdhra mbrojtje nga Gjykata e Vlorës. I njëjti fenomen është konstatuar edhe në Korçë, si edhe pothuajse në të gjithë qytetet e tjera duke kulminuar me akte vrasjeje mesjetare.

Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, duhen kuptuar shkaqet të cilat arrijnë të gjenerojnë këtë dhunë. Ndër to renditen të kenë rol dominues, faktori ekonomik dhe ai social, si edhe tiparet personale të karakterit të personave të dhunshëm, të cilat konturohen përreth këtyre kushteve dhe presioneve si të jashtme, po ashtu edhe të brendshme. Dhuna gjendet rëndom edhe në bërthamat familjare, ku kushtet ekonomike dhe sociale nuk përbëjnë problem, duke marrë më tepër në konsideratë karakteristikat formuese personale, gjykimet dhe vlerësimet përballë personave të tjerë.

Sipas psikologëve, një shpullë nuk vjen menjëherë, papritur në një ditë të bukur, në një marrëdhënie të shëndoshë. Sipas tyre, sigurisht që ekziston një problematikë, e cila ka çuar në kryerjen e këtij akti. Kjo nuk do të thotë, se kjo gjë do të përsëritet sërish, por psikologët nënvizojnë, se shanset janë shumë të mëdha që kjo gjë të përsëritet, nëse nuk mbajmë një qëndrim kategorikisht refuzues, pas këtij akti.

Shpesh marrëdhënia në çift është komplekse dhe personi që dhunohet, nuk di si të sillet, pasi mund ta gjykojë këtë akt, si një akt të veçantë, të shkëputur. Ajo çka viktima mendon rëndom është se, si duhet të veprojë në një situatë të tillë përsëritëse? Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, ku psikologët rekomandojnë fuqishëm, që ajo që i duhet komunikuar partnerit që ka ndërmarrë aktin e dhunës, duhet të jetë: “Herën tjetër nuk do të diskutojmë më, por do të ndahemi’’.

Po çfarë perceptojnë në të vërtetë meshkujt në kokën e tyre, si i shikojnë ato vetveten në këto akte?

Studiuesit afirmojnë se, ajo çka ato ndjejnë nuk është faj, por më shumë një gjendje turpi dhe në këtë gjendje turpi, raporti është vetëm përballë me vetveten, jo me tjetrin, pra luhet kryesisht në nivelin e narcizismit. Për sa i përket fajësisë, përkundrazi, në shumicën e rasteve, personi dhunues, fajëson viktimën. Edhe në ato raste, kur personi në doza sinqeriteti i shpreh viktimës keqardhjen e tij, ky nuk është një faktor i cili do të parandalojë në të ardhmen, aktet e dhunës. Autorët e agresionit, nuk ndjehen asnjëherë fajtorë, ose të ndjehen në faj pas akteve të tyre.

Është e rëndësishme të theksohet, sipas psikologëve, fakti se, shpeshherë dhunuesit nxjerrin si pretekst, arsyen se tjetri i shtyu deri aty ku, nuk mbante më, aty, ku nuk mund të tolerohej. Po çështja sipas psikologëve, shtrihet në aspektin se deri ku, aty ku nuk mban më ? Aty është pika, ku kalohet në të pandërgjegjshmen. Kur ofendohemi nga fjalët e tjetrit, fillon procesi i turbullimit, mbi vlerësimin ndaj vetvetes dhe kjo ndodh prej faktit, se jemi keqtrajtuar në fëmijëri: p.sh, kemi pasur të bëjmë me një baba zhvlerësues, të ashpër, autoritar, etj. Në këto momente, theksojnë psikologët është pikërisht fëmijëria, që nxjerr kokë, duke e rritur fuqishëm tensionin e provuar.

Sipas psikologëve, ka shenja të cilat mund të dallohen, që kemi të bëjmë me një partner të dhunshëm. Kur partneri ju kontrollon vazhdimisht çantën tuaj, telefonin tuaj, ju shef vëngër kur ju shikoni një mashkull tjetër. Në këto marrëdhënie psikologët rekomandojnë arratisjen, sepse shpejt a vonë, dhuna do të fillojë të shfaqet.

Ka raste kur agresorët nuk godasin partnerin, por e përqendrojnë dhunën e tyre mbi objektet duke i përplasur, ose thyer ato. Dhe ky është një qëndrim i rrezikshëm, sepse është thjesht çështje kohe, kalimi nga dhunimi i objekteve në dhunim të personit.

Rastet kur personi ushtron dhunë, janë raste ku strukturat e kontrollit të brendshëm kanë falimentuar, personi nuk arrin dot të zotërojë veprimet që kryen. Dhe sa me i lartë të jetë presioni tek ky person, aq me shpejt ai do të degjenerojë në dhunë.

Psikologët vlerësojnë se, ajo çka mund të arrijë të ndalë dhunën, mund të jetë një shikim më pozitiv dhe realist mbi vetveten, pra personat që ushtrojnë dhunë, duhet të punojnë me vetveten, për të rritur vetëvlerësimin, pasi akti i dhunës është pikërisht momenti që ato perceptojnë si ulje të vetëvlerësimit. Ndërkohë një frenim i ushtrimit të dhunës, mund të jetë që adresuesi, të vihet në vend të viktimës dhe të provojë dhimbjen që provon tjetri.

Çfarë ndodh me fëmijët, prezent në këto skena dhune?

Shumica e studimeve tregojnë, se meshkujt e dhunshëm janë rritur, po ashtu në familje të dhunshme. Shumica e këtyre meshkujve janë rritur në një terren ‘lufte’ familjare, ku dhuna fizike dhe ajo verbale, ka qenë prezent dhe konsiderohej si ‘normale’. Rritja në një familje ku babai është i dhunshëm, i mëson fëmijës në mënyrë të pandërgjegjshme, se pikërisht në këtë formë zgjidhen konfliktet dhe se sundon pikërisht, kush është më i forti. Në këtë mënyrë krijohen modele në mendjen e një fëmije, i cili në çdo rast, që do ndodhet para ndonjë konflikti, ai do të ketë këtë model në kokë, të zgjidhjes së një problemi: modelin e dhunës së ushtruar në familje. Pikërisht në këto momente një prind, ka kultivuar farën e një temperamenti agresiv dhe të dhunshëm tek fëmija e tij, që do të ndjekë fëmijën përgjatë gjithë jetës së tij.

Kur dhuna ushtrohet, si në rastin konkret ndaj njërit prej partnerëve dhe fëmijët gjenden në pozicionin e spektatorit, ajo çka ndodh me to është se, fillojnë në mënyrë të pandërgjegjshme të imitojnë sjelljen e prindërve, të imitojnë rolin e agresorit dhe atë të viktimës. Në një rast studimi, një grua, viktimë e dhunës bashkëshortore, theksonte se, kur po shkonte të merrte fëmijën nga shkolla, vuri re se në një sherr mes nxënësish, vajza e saj, ishte ulur në tokë për tu mbrojtur, duke marrë të njëjtin pozicion si mamaja e saj, në momentin kur mamaja dhunohej. Pra, vajza kishte përthithur modelin e viktimës. ‘Vetëm në atë moment, arrita të kuptoj se çfarë dëmi, po i bëhej fëmijëve të mi’- do deklaronte një viktimë e dhunës së partnerit.

Mirëpo kjo është njëra anë, ajo e pozicionimit të fëmijës si një ‘spektator’ i dhunës familjare. Nga ana tjetër kemi rëndimin e konfliktit, kur fëmija bëhet edhe ai, pjesë e dhunës prindërore. Ajo çka shkaktohet psikologjikisht tek fëmija, është një ndjesi faji, një kompleks inferioriteti dhe personaliteti përballë bashkëmoshatarëve të vet dhe zhvillime të tipareve të dhunës, të cilat do formojnë karakterin e tij më vonë si qenie agresuese. Po si i ati, fëmija do imitojë të njëjtën sjellje, dhe do ndjehet mirë duke agresuar të tjerët, pasi ka përthithur nga sjellja agresive e të atit, se si të mos respektojë fjalën e tjetrit dhe qëndrimin e tjetrit duke i dhënë fund fjalës së tij, nëpërmjet ushtrimit të dhunës.

Një fëmijë, i cili rritet në një dhunë familjare, vuan jashtëzakonisht shume dhe ka probleme gjatë gjithë zhvillimit të jetës së tij. Fëmija formohet si individ, në bazë të vlerave, që familja i përcjell dhe pastaj vjen rrethi social, ai që kontribuon fuqishëm. Një fëmijë prezent në skenat e dhunës, vuan nga çrregullime gjumi, shqetësime emocionale dhe psikologjike, ankth, depresion, çrregullim në të ushqyer dhe nga stresi post traumatik. Ai shfaq gjithashtu çrregullime të sjelljes, agresivitet, dhunë, ulje në rezultatet shkollore, mos interesim për shkollën; zhytet në kriminalitet, ide vetëvrasëse, fillon konsumimin e drogës, etj. Nuk asimilon siç duhet, ka vetëvlerësim shumë të ulët, dhe një imazh negativ mbi vetveten. Të gjitha këto karakteristika do ta shoqërojnë përgjatë shumë marrëdhënieve në jetën e tij.

Psikologët rekomandojnë, se me këto fëmijë duhet punuar, që te arrijnë të administrojnë acarimin e tyre dhe të punojnë që të gjejnë fjalët e duhura për tu shprehur në komunikim me të tjerët, në mënyrë që të mos kalojnë në akte dhune. Vetëm në një marrëdhënie afektive, ku shfaqet përkujdesje dhe dashuri ndaj fëmijës, kjo gjë mund të arrihet të realizohet.