Mesila Dode denoncon fiktivitetin e listave, që sollën në krye të PD-së Lulëzim Bashën

65

mesila dodeZgjedhjet e zhvilluara dje, për kreun e PD-së u realizuan përmes një sërë problematikash, që arritën të bëhen publike dhe nga media të ndryshme. Fshehtësia e votës u cënua nga caktimi i fletëve të votimit me numër rendor, çka e bënte lehtësisht të identifikueshme votën e çdo anëtari. Problematika tjetër kishte të bënte me faktin, se shumë anëtarë të cilët presupozohej të votonin kundër Lulëzim Bashës, iu ishte hequr emri nga lista. Dhe së fundmi, zgjedhjet brenda partisë konstatuan edhe importim personash, të cilët mendohet se kanë votuar pro Bashës.

Deputetët dhe ish deputetët të PD-së kanë reaguar duke nxjerrë në pah falsitetin e këtyre zgjedhjeve. Në këtë linjë vjen dhe reagimi i Mesila Dodës, e cila shfaqet e revoltuar në deklarimin e saj. Ajo nxjerr në pah fiktivitetin e emrave të gjendur në lista si anëtarë të PD-së, të cilët sollën në krye të partisë Lulëzim Bashën.

Procesi i sotëm evidentoi një çështje vitale për PD. Themelues, anëtar, sekretar e kryetar seksionesh, komisioner, njerëz me një kontribut të gjate nuk gjenin emrat në listat e sotme. Kjo do të thotë që procesi i sotëm nuk është fundi por fillimi i një procesi të gjatë e serioz, ku së pari duhet të evidentohen të gjithë anëtarët e vërtetë të PD e të mblidhen copat e shpërndara të gjithë shtresave vitale të PD. Ne kemi nevojë për anëtarësi reale, jo thjesht emra që nuk kanë asnjë lidhje reale me anëtarësinë, sepse do jenë ato që do përkthejnë aksionin tonë opozitar në cdo cep të Shqipërisë. Ne kemi nevojë të shohim njëri-tjetrin me vërtetësi dhe jo thjesht të kufizohemi me intervista mediatike por të rikthejmë një forcë të animuar, një opozitë me një filozofi të pastër e të qartë e mbi të gjithë t’i mbledhim të gjitha pjesët bashkë për të bërë betejën tonë në parlament dhe të shtrijmë një organizim perfekt në çdo cep te vendit”,- ka deklaruar Dode.