Diplomacia : partneriteti rajonal, ndërkombëtar dhe nacionalizmi :
Partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian është strategjik dhe Shqipëria ka përgjegjësinë të jetë një shtet demokratik dhe të vijojë kontributin konstruktiv me politikën e saj të jashtme sidomos në rajon. Unë sot dua të ndaj këtu me ju bindjen, një bindje të thellë timen, se pikërisht pse Shqipëria ndërtoi në gjithë këto vite një politikë të jashtme rajonale në harmoni me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, duke qenë gjithnjë e palëkundur në mbrojtje të Kosovës, po kurrë e nxituar në sulm kundër Serbisë, çështja e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës mbeti deri në fund dhe u zgjidh përfundimisht me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare si e drejta e një populli për të vetë vendosur. Dhe asnjëherë si një çështje nacionaliste territoresh mes Shqipërisë dhe Serbisë, sepse si e tillë nuk do të ishte zgjidhur kurrë dhe nuk do të kishte gjetur kurrë mbështetjen e fuqive të mëdha. Pas 23 qershorit ne duam t’i japim një cilësi dhe shpejtësi të re procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por duam po ashtu ta mbështesim fort Kosovën qoftë për procesin e liberalizimit të vizave si fillim, qoftë për 5 njohjet e mbetura ende pezull. Shumë troç, unë mendoj se Kosova nuk mund dhe nuk duhet ta paguajë çmimin e azilkërkuesve serb apo maqedonas dhe të pengohet të lëviz lirisht në Bashkimin Europian.
Ne do t’i japim jetë një politike progresiste bashkëpunimi rajonal ku popujt e këtij rajonit punojnë për mirëqenie e demokraci dhe nxisin bashkëpunimin në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellët. Do të fillojmë që ditën e parë punën për arritjen e një marrëveshjeje kuadër me të gjitha vendet e rajonit për mbrojtjen e pakicave nën dritën e standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Pakicat, si ura mes shteteve të Ballkanit dhe jo si hendeqe brenda shteteve të Ballkanit, është vizioni ynë i të ardhmes mbi hartën etnike që nuk përputhet me hartën e kufijve territorialë të rajonit tonë.
Ne do të forcojmë praninë e Shqipërisë në nismat rajonale, që kanë në fokus aspektet politike, ekonomike dhe sociale, strukturat e sigurisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shtimit të komunikimit, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, tregtinë e lirë duke vlerësuar realitetet e reja gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Fokusi i diplomacisë sonë të organizatave rajonale do të zhvendoset drejt atyre që kanë interes më të drejtpërdrejtë për Shqipërinë si për sa i përket pjesëmarrjes aktive, ashtu dhe rritjes së përfaqësimit në nivele të ndryshme qoftë politike, diplomatike dhe teknike.
Me ne në qeverisje Kosova do të marri një status të ri, statusin e partnerit dhe aleatit strategjik kryesor në politikën e jashtme rajonale të Shqipërisë.
Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit me Kosovën :
Ne do të punojmë qysh në ditën e parë të qeverisjes sonë bashkë me autoritetet përfaqësuese të Kosovës për të nënshkruar një orë e më parë traktatin e miqësisë, të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe sigurisë. Sepse ne e çmojmë këtë traktat si të nevojshëm në rrafshin diplomatik, të detyrueshëm në rrafshin kombëtar dhe të domosdoshëm në rrafshin strategjik për shqiptarët në rajon. Përmes këtij traktati ne do të vëmë në jetë praktikën e organizmit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive ku do të orientojmë dhe mbikëqyrim strategjitë e bashkëpunimit të thelluara në planin politik, ekonomik dhe social. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive si një trupë e vetme, dy herë në vit, do të bëjë që shqiptarët këtej dhe andej kufirit të kenë përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, një trupë e cila do të mendojë, do të diskutojë dhe do të vendosë në rrafshin strategjik: Për sigurinë energjitike të hapësirës shqiptare në këto dy shtete. Për sistemin e unifikuar arsimor në hapësirën që ndahet nga një kufi i cili sot nuk përbën asnjë pengesë për ta konceptuar të ardhmen si një hapësirë të përbashkët dhe rrugën drejt të ardhmes si një rrugë zhvillimi të përbashkët, nga një kufi, i cili sot nuk përbën asnjë pengesë për ta konceptuar të ardhmen si një hapësirë të përbashkët dhe rrugën drejt së ardhmes si një rrugë zhvillimi të përbashkët. Për bujqësinë, ku shfrytëzimi i potencialeve që ka hapësira shqiptare e administruar nga dy shtete nëpërmjet koordinimit mes dy shteteve do të sillte rajonalizim racional të prodhimit, zgjerim të rrugëve të prodhimit dhe rritje të të ardhurave nga prodhimi këtej dhe andej kufirit.
Duke bashkuar doganat, ne do të rrisim në mënyrë eksponenciale hapësirën e lirisë për biznesin, qoftë këtej, qoftë dhe andej kufirit. Nuk duhet të ketë konkurrencë të garantuar apo të pa garantuar mes biznesit shqiptar në Shqipëri dhe biznesit shqiptar në Kosovë, por duhet të ketë një konkurrencë të biznesit në të gjithë hapësirën, pavarësisht se të zotët e këtij biznesi apo atij biznesi janë shqiptarë të Kosovës, apo shqiptarë të Shqipërisë dhe kufiri ku do të kalojnë mallrat dhe prodhimet do të jetë po aq i papërfillshëm nga këtej – andej, sa ç’është nga Durrësi në Vlorë.
Na mjafton një Kupë e Flamurit Kombëtar, për të përfshirë gjithë skuadrat në mënyrë të përvitshme dhe për të sjellë në të gjitha stadiumet, shqiptarët këtej dhe andej kufirit dhe për të bërë pastaj edhe “sherrin” tonë demokratik në sport dhe fitoftë më i miri.
Një problem tjetër që ne ose e trajtojmë dhe e zgjidhim së bashku, ose do të shikojmë se si do na ikë duarsh bashkërisht është problemi i gjuhës së shkruar shqipe. Gjuha e shkruar shqipe në materialin letër, qoftë në gazetat e përditshme, qoftë në botimet ndryshme është e kërcënuar nga zhdukja. Dhe është e kërcënuar nga zhdukja për arsye se nuk ekziston asnjë sistem distribucioni dhe asnjë sistem që ta lehtësoje kalimin e gjuhës nga duart e atyre që e shkruajnë në duart e atyre që e lexojnë.
Komitet ndërshtetëror Shqipëri- Kosovë :
Për të shkuar me tutje, ne besojmë, se është koha maksimale që të konceptojmë një Komitet ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë, për përfarimin e legjislacionit në dy kahje: legjislacionit tregtar mes njëri-tjetrit dhe legjislacionit me Bashkimit Europian.Procesi i integrimit nuk ka pse të jetë një proces i ndarë, por mund të jetë fare mirë një proces prej nga ku ne përfitojmë prej njëri-tjetrit në të dyja kahjet. Sepse nga njëra anë ne shkojmë bashkërisht drejt Europës, por nga ana tjetër realizojmë konkretisht atë që themi, bashkimin kombëtar në Bashkimin Europian, duke shkuar bashkërisht drejt Europës, jo në linja paralele që nuk puqen kurrë, por duke shkuar drejt Europës në linja konvergjente që na gjejnë bashkë në momentin e bashkimit me Europën. Nga ana tjetër ne bashkërisht, por Shqipëria në radhë të parë, besoj për shkaqe që lidhen me pozicionin dhe për shkaqe që lidhen më mundësitë, kemi detyrimin për të garantuar me një politikë shumë të qartë dhe të përcaktuar të drejtat e shqiptarëve në gjithë pjesët e tjera, duke filluar nga të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, si pjesë e rëndësishme e stabilitetit demokratik të Maqedonisë dhe njëkohësisht e mozaikut të çështjes shqiptare në Ballkan. Kjo, si një prioritet konstant i politikës sonë të jashtme në rajon, për shkak të madhësisë fizike që është një masë kritike, të popullit shqiptar në Maqedoni, për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve dhe mosfunksionimit të mekanizmave të dakordësuar me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe faktit që krijimi, ekzistenca dhe funksionimi i Maqedonisë e ka bazën në ekuilibrin dhe marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit maqedonas.
Çështja çame :
Nga ana tjetër ne jemi e para parti politike shqiptare në Shqipëri që në programin tonë kemi përfshirë çështjen çame si një çështje të patrajtuar dhe të paadresuar në mënyrë adekuate, e cila sipas nesh duhet të nxirret nga oxhaku ku i hidhet dru e benzinë zjarrit të nacionalizmit të vjetër të së shkuarës dhe duhet të adresohet, duke u mbështetur në frymën e traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, duke synuar që kjo çështje të adresohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pyetje lidhur me deklaratat për Sali Berishën dhe dialogun Kosovë-Serbi:
– Nuk besoj se pata konsiderata negative për Sali Berishën. Përkundrazi pata disa vlerësime objektive, bazuar në realitetin historik, në përpjekjen për t’u dhënë njerëzve një pasqyrë të një të vërtete që është e gjitha e verifikueshme në arkivat e shtypit shqiptar dhe kush ka durim edhe në arkivat e shtypit malazez apo serb po të dojë. E dyta, besoj që këtu nuk është fjala për një betejë midis personash. Këtu është fjala për një betejë midis dy mënyrash krejt të ndryshme për ta parë botën, për ta kuptuar politikën dhe për t’u sjellë me zgjedhësit. Dhe besoj që në 23 qershor shqiptarët kanë një zgjedhje shumë të qartë në Shqipëri. Një zgjedhje e qartë mes një rrënimi të mëtejshëm dhe një Rilindje Shqiptare. Kjo është zgjedhja. Dhe unë besoj që në shumicë shqiptarët do të zgjedhin Rilindjen. Sigurisht duke zgjedhur Rilindjen do të ndihmojnë edhe pakicën sepse jam i sigurt pas 23 qershorit do të krijojmë kushtet që të rilindë edhe PD, edhe Klani. Megjithëse Klani e ka dhënë provën që nuk e ka problem të rilindi sa herë vjen koha për të rilindur.
Për dialogun e thashë dhe e përsëris është e vetmja rrugë. Ngurrimi i palës serbe nuk e shmang dot përfundimin e dialogut si vendosja e pikës në historinë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Pas koalicionit me z.Meta mendoj që opinioni politik konsideron që ju duhet të jeni kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Unë kam një pyetje që është më shumë socio-kulturore lidhur me faktin që shqiptarët e Kosovës çdo verë jam me pushime në Shqipëri. A keni një strategji ndryshe?
– Tek kjo e turizmit ka edhe një problem tjetër se sa më shumë rritet numri i turistëve sipas kryeministrit aq më shumë bien të ardhurat nga turizmi. Unë nuk e di sesi realizohet kjo, por është fakt. Çdo vit sipas kryeministrit na mbërrijnë miliona të tjerë dhe çdo vit na humbasin dhjetëra miliona në arkën e shtetit që do të thotë që ka një tërheqje në fakt që është reale. Unë besoj që për zhvillimin e industrisë së turizmit ne realisht na duhet një plan i përbashkët strategjik. Realisht na duhet që t’i japim fund një epoke ku Ministri i Turizmit vjen këtu përpara sesa të fillojë sezoni i verës, ma ca fletëpalosje, nja 100 kopje, që i marrin ata të ministrisë tuaj dhe jam i bindur që nuk i hapin dhe s’kanë faj dhe pastaj ikën. Ose Ministri i Arsimit që vjen në fillim të vitit dhe sjell një abetare dhe gjithmonë sjell një abetare me gabime ortografike. Dhe thotë ja më në fund e kemi edhe ne abetaren e përbashkët dhe ndërkohë që ata, të cilët lindën kur Kosova ishte e lirë, po bëhen 15 vjeç ne kemi mbetur akoma tek abetarja.
Për sa i përket koalicionit dëshiroj të theksoj një fakt ndoshta për shkak të distancës, ndoshta për shkak të një qasjeje më racionale në raport me atë koalicion nga audienca në Kosovë kemi pasur një shkallë shumë të shpejtë dhe të lartë përgëzimesh për realizmin e koalicionit. Dhe unë jam i bindur që ky koalicion është jo vetëm rruga drejt fitores së sigurt pavarësisht nga shkalla e manipulimeve të mundshme, por është dhe rruga për t’i hapur rrugë të gjitha këtyre që unë fola sot në marrëdhëniet me Kosovën dhe me rajonin.
– Z.Rama sot para se të vinit këtu lëvizja vetëvendosja e Albin Kurtit ka reaguar përmes një komunikate ku nuk e ka mbështetur këtë takim?
– Para se të vija këtu në fakt më thanë që ‘Vetëvendosja’ ka bërë një deklaratë, pse nuk merr pjesë në takim. Dhe me thënë të drejtën Albinin e kam mik, e respektoj. Albini ka bojkotuar gjithë botën, unë jam shumë i vogël për t’u mërzitur nga bojkotimi. Shumë dashamirësisht, Albini është një intelektual që unë e çmoj shumë. Është një intelektual i rrallë për botën shqiptare dhe prandaj si intelektual i takon të bëjë vetëm gabime të mëdha, nuk mund të bëjë gabime të vogla, politike.