Presidentët Obama dhe Hollande komente mbi Sirinë dhe Iranin

51

obama hollandeNë një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Francës François Hollande të martën në Shtëpinë e Bardhë. Ai u zotua për masa të ashpra kundër firmave që shkelin sanksionet kundër Iranit dhe pranoi nga ana tjetër se bisedimet për paqe mbi Sirinë janë larg arritjes së synimit të tyre.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Hollande, një partner i rëndësishëm si në përpjekjet për Sirinë ashtu edhe në ato lidhur me Iranin, Obama komentoi për të dyja këto çështje.

Në Shtetet e Bashkuara “ka një zhgënjim të madh”, tha ai duke folur për bisedimet e paqes mbi Sirinë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë mes vendeve që kanë nënshkruar një marrëveshje të përkohshme bërthamore me Teheranin.

Marrëveshja frenon programin bërthamor të Iranit në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve ndërkombëtare. Bisedimet për një marrëveshje përfundimtare fillojnë javën e ardhshme në Vjenë.

Duke folur mbi kompanitë që bëjnë tregti me Iranin në kundravajtje me sanksionet që janë ende në fuqi, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të gadasin rëndë mbi to, nëse ato nuk zbatojnë sanksionet.

Administrata Obama është shprehur kundër interesit që bizneset franceze kanë treguar ndaj Iranit që nga zbutja e sanksioneve. Javën e kaluar, më shumë se 100 ekzekutivë kompanish franceze vizituan Teheranin, vizitë që Sekretari Kerry u tha homologëve të tij në Paris se “nuk ishte e dobishme.”

Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës së dhunshme civile në Siri, një ish koloni franceze. Por bisedimet e paqes mes qeverisë siriane dhe forcave të opozitës nuk kanë arritur përparim.

Presidenti Obama njoftoi gjithashtu se ka pranuar ftesën e zotit Hollande për të shkuar në Francë me rastin e ceremonisë së 6 qershorit, që shënon 70-vjetorin e zbarkimit në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Para fillimit të bisedimeve, Presidentit francez iu rezervua  një mirëseardhje tradicionale me ceremoni në Lëndinën Jugore të Shtëpisë së Bardhë.

Obama vlerësoi aleancën mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës që siç tha ai “i ka qëndruar kohës”.

Ai e quajti zotin Hollande njërin nga aleatët më të fortë dhe miqtë më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

Ndër aktivitetet e së martës ishte edhe darka shtetërore që zoti Obama do të jepte për zotin Hollande, e para në mandatin e tij të dytë. Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti francez në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1996.