Nga Lirim Nezha
Por a ka gjasa që kjo të ndodhë me ardhjen hipotetike në pushtet të aleancës së përdhosur PS-LSI? Askush, as vete Edi Rama dhe Ilir Meta me spërdredhjet e tyre për të na i paraqitur këtë çorbë si të ngrënshme dhe si një gjest në të mirë të vendit (vetëm në të mirë të vendit nuk mund të jetë), dhe as ushtria e opinionistëve, të cilët për hir të së vërtetës, edhe ata më të flaktët mbështetës të së majtës, kanë ngurruar ta paraqesin në analizat e tyre si një veprim që përçon entuziazëm tek e majta, nuk e kanë besuar dhe nuk e besojnë këtë. Pa folur pastaj për njerëzit e thjeshtë të cilët e përjetuan shumë keq një lëvizje të tillë, ndonëse, për hir të së vërtetës e kishin kritikuar më parë Ramën për pamundësinë, por edhe për mungesën e dëshirës për të ribashkuar të majtën.
Me këtë lëvizje ju tha shqiptarëve hapur se të tilla aleanca, qofte ajo PD-LSI, qoftë edhe kjo e fundit PS-LSI-i, shërbejnë më së shumti për ta përdorur pushtetin e ndarë në disa copa për të kënaqur orekset e militantëve dhe mbështetësve shpesh herë edhe te kriminalizuar. Historitë me integrim i përkasin tashmë arkeologeve sikurse i pëlqen Metës t’i adresojë. Ndarja e tortës me bllok në dorë nuk ka më nevojë për kamera të fshehta të inkorporuara në orenditë shtëpiake. Ajo tashmë po bëhet hapur, paçka se nëpër ekrane vazhdojnë të na hapin barkun “argumentet” se te gjitha fajet i ka Saliu.
Te gjithë e dinim dhe e mendonim atë shprehjen që e cilëson politikën si të përdalë, por gjithashtu të gjithë kishim shpresuar se degjenerimi nuk do të bëhej kaq publik, dhe aq më pak të na paraqitej si virtyt e ngjarje historike që bashkon të majtën në funksion të rrëzimit të një njeriu që e ka emrin Sali Berisha. Madje Rama e quajti një mal, një digë që i ka dalë para lumit të votave të majta e që nuk i lë të vijnë në pushtet. Harron Rama se duke e quajtur mal i amplifikon vlerat pushtetit të sotëm dhe të liderit të PD-së. E bën atë të shfaqet aq i pamposhtshëm sa edhe të gjithë së bashku kundër tij t’i kenë frikën. E pra, edhe e djathta në pushtet ka motive ta rikërkojë pushtetin, madje edhe mundësi ta rimarrë atë, madje edhe me më shumë moral tani që nuk është më në koalicion me Metën. Por këto shanse rriten sa kohë e majta e ka fshirë krejt pragun që ndan pragmatizmin politik nga morali politik, paçka se janë të dyja të domosdoshme në një shoqëri civile.
Shqipëria vetëm kështu nuk mund të rilindë!