Peshku i gjirit të Vlorës pushton supermarketet Carrefour. Lajmi u bë publik në Bruksel gjatë panairit të 27 Botëror të Peshkut (SeafoodExpo Global/SeafoodProcesing Global). Është hera e parë që një produkt shqiptar hyn fuqishëm në rrjetin prestigjioz të supermarketeve europiane. Ishte pikërisht ky panair që bëri të njohur ndërkombëtarisht peshkun e gjirit të Vlorës, ndërsa tashmë, ka nisur shitjen si një produkt “Made in Albania”. Prodhuesja e peshkut elitë, ferma detare “Almarina Or” tashmë ndodhet në vitin e pestë të pjesëmarrjes në këtë panair e kjo falë rezultateve në prodhimin dhe shitjen e produktit në tregun CE, por edhe në sajë të mbështetjes maksimale të Grupit “Erde Rossi Silvio”, i cili prej shumë vitesh qëndron në krye të sektorit të prodhimit dhe tregtimit të troftës së salmonuar për kontinentin europian.
“Edhe në këtë sezon “Almarina” ka punuar shumë për përmirësimin e cilësisë dhe sasisë së produktit duke marrë më shumë terren në treg, por njëkohësisht ka vazhduar punën për pajisjen me certifikata të tjera të cilat i japin besueshmëri më të lartë produktit në rrjetin e supermarketeve CE, pasi zotërimi i standardeve të tilla, të larta do të thotë më shumë siguri e respekt për jetën e klientit tonë si konsumatori final i produktit. Hyrja në rrjetet më të organizuara GDO siç është i fundit Carrefour dhe certifikimet e njëpasnjëshme kushtëzojnë sistematikisht kualifikimin dhe përfshirjen e furnitorëve elitë të cilët rrjedhimisht duhet t’i përshtaten trendit të rritjes së “Almarines” në këtë fushë si pjesë e zinxhirit nga ku kalon peshku që nga veza deri në pjatën e konsumatorit”,- tha Sheme Kondi, administratori i “Almarina”.
Më tej ai shtoi se certifikimi i fundit që po realizojnë me entet ndërkombëtare të certifikimeve është ASC (Aquaculture Stewardship Council). Sipas tij, një certifikatë e tillë garanton një akuakulturë të qëndrueshme, një fermë që zhvillohet e rritet gjithmonë në unitet me vlerat e mjedisit detar, pra produkt cilësor, i shëndetshëm në një ambient marrin që është gjithmonë nën monitorim të vazhdueshëm për ruajtjen e parametrave natyrale. Ambienti detar ku rritet peshku, lëndët e para, prodhimi, ambienti i paketimit, makineritë e pajisjet duhet të jenë të standardeve sipërore dhe kjo realizohet me një program vjetor analizash që bëhen nga laboratorë të akredituar brenda e jashtë vendit.
Për ngritjen e vazhdueshme të nivelit teknologjik dhe suksesit në rritjen e tregtimin e peshkut “Almarina” mbështetet dhe nga sektori akademik ku në radhë të parë është “Universiteti i Camerinos” në Marche Itali si dhe “Universiteti Bujqësor i Kamzës”. Një eksperiencë dhe një rrugë e tille bën që “Almarina” të jetë një model suksesi në integrimin e biznesit shqiptar në Europë, por edhe një e mirë ekonomike për zonën e Orikumit dhe Vlorës ku e ka rrënjën kjo kompani.
Ndërkohë në Panairin e 27 Botëror të Peshkut në Expo Bruksel, i cili u mbajt gjatë tre ditëve të para të javës që lamë pas, morën pjesë 2007 kompani ose 61 më shumë se viti 2018, të cilat ekspozuan në një sipërfaqe totale 41000 metra katrore ku prezantoheshin prodhimet peshkore,shërbimet,inovacionet e transformimit të produkteve peshkore dhe makineri e pajisje të ambalazhimit.
Pikërisht në këtë panair kompanitë gjejnë vlera të reja në takimet dypalëshe dhe e shohin panairin si një mundësi për të mbajtur dhe për të zhvilluar më tej lidhjet ekonomike e për të shtrirë synimet e objektivat në tregje të reja. Expo Bruksel vazhdon të mbetet eventi vjetor më i rëndësishëm për industrinë globale të peshkut. Mes pjesëmarrësve në panair janë blerësit e produkteve peshkore globale, menaxhere shitjesh, blerësit e programeve të etiketave private dhe blerësit e pajisjeve dhe paketimit nga restorantet, supermarketet, hotelet, shërbimet e hotelerisë, importuesit, shpërndarësit dhe tregjet e peshkut.