Published On: Pre, Maj 10th, 2019

I jepet lamtumira Deshmores se Atdheut Zarife Hasanaj

Share This
Tags

I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj e cila humbi jetën më 6 maj nga një shpërthim me minë në Letoni, ku ndodhej në kuadër të misionit të NATO-s.

Dëshmorja më e re Atdheut u përcoll me ceremoni shtetërore drejt varrezave të Dëshmorëve të Kombit ku do të prehet.

Familjarë, miq por dhe personalitete të larta u nderuan para arkivolit të saj në homazhet që u mbajtën në Pallatin e Kongreseve.

“Zarifja u bashkohet sot atyre dhjetëra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, që kanë dhënë jetën për atdheun. Dhe besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta nderuar vajzën tonë, sesa duke kujtuar një të vërtetë të madhe për të gjithë ato djem e vajza, që si Zarifja zgjedhin të shërbejnë në Forcat e Armatosura. Ka një fjalë që thotë se: ata që shërbejnë në FA janë njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi i tyre ndaj uniformës dhe gatishmëria për të sakrifikuar. Sepse në kohë lufte e në kohë paqeje, të shërbesh do të thotë të pranosh rrezikun dhe sakrificën personale, edhe sakrificën supreme, për të mirën e përgjithshme: që të jetojmë në paqe, që të jetojmë të sigurt, që të meritojmë vendin tonë si aleat në aleancën më të madhe ushtarake të të gjithë kohëve.
Për të shërbyer në FA, sidomos në një kompani si EOD, ku shërbente nëntetarja Hasanaj, ku praktikisht të duhet të përballesh çdo ditë me rrezikun, nevojiten djem e vajza të një prerje të veçantë, speciale. Më të mirët! Djem e vajza që nga momenti që veshin uniformën e dinë, që një ditë mund t’u duhet të rrezikojnë jetën e tyre për atdheun” u shpreh ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Dita e sotme me vendim të Këshillit të Ministrave, është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të nëntetares Zarife Hasanaj.

Sipas këtij vendimi, në të gjitha institucionet shtetërore flamujt do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje.

Nga shpërthimi në Letoni mbeti i plagosur rëndë komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe më lehtë Rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Efektivët e FA, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake.

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>