“Përmeti”, deputeti grek në Parlament: Athina të ndikojë në BE

51

deputeti grek“Përmeti”, deputeti i djathtë grek në Parlament: Athina të ndikojë në BE Edhe në Parlamentin grek është shtruar çështja e ngjarjeve në Përmet, pasi deputeti i partisë “Demokracia e Re” i ka drejtuar pyetje ministrit të Jashtëm Evangelos Venizelos mbi veprimet që ka ndërmend të bëjë Athina zyrtare lidhur me atë që e quajti “vandalizmin mbi Kishën e Përmetit”. Në fjalën e tij deputeti i djathtë është shprehur ndër të tjera se “ngjarjet që ndodhën në qytetin e Përmetit në Shqipëri kanë cënuar konceptin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar një ndjenjë të shqetësimit për të gjithë grekët”.

Ai ka përmendur veçanërisht, “përdhosjen e relikeve të shenjta, si Ungjillit, Grailit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe njerëzit”. Duke vijuar deputeti i djathtë grek pyet: “Cfarë do të ndodhte nëse dikush do të kishte hedhur Kuranin në një kamion? Ndoshta do të digjej gjysma e planetit … Toka”, ka vijuar ai.

Më pas deputeti i drejton ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos këto pyetje:

– Përveç përgjigjes diplomatike rutinë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, cilat janë hapat shtesë që keni ndërmend të merrni?

– A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por fshehu vandalizmin dhe dhunën.

Ky zhvillim vjen paralelisht me pyetjen që eurodeputeti grek Kumutsakos ngriti në Komisionin Evropian, me të njëjtën përmbajtje.