PE, krijohet mekanizmi i Autoritetit Mbikëqyrës për Bankat Europiane

51

bankParlamenti Europian ka miratuar këtë të enjte, vendosjen e sistemit evropian të Mbikëqyrjes Bankare. Ky sistem do të mundësojë vendosjen e më shumë se 150 bankave të mëdha të BE-së, nën mbikëqyrjen direkte të Bankës Qendrore Europiane. Eurodeputetët kanë përforcuar transparencën dhe përgjegjësinë demokratike dhe kanë ngarkuar Autoritetin Bankar Europian të përpunojë praktikat e survejimit, që mbikëqyrësit e bankave kombëtare duhet të ndjekin. 

Sistemi, që do të aplikohet duke nisur nga shtatori i vitit 2014, sipas Komunikatës për shtyp të PE-së, do të jetë detyrues për anëtarët e zonës euro dhe do të jetë i hapur ndaj gjithë vendeve të tjera të BE-së. Eurodeputetët kanë favorizuar një model të marrjes së vendimeve, që do t’i lejojë vendeve jashtë zonës euro, të marrin pjesë me të njëjtat kushte të barabarta.

Eurodeputetët Marianne Thyssen i PPE-së dhe Sven Giegold i Partisë së Gjelbër, kanë përgatitur dy tekstet legjislativë në Parlamentin Europian. Këto tekste u adoptuan me një shumicë të konsiderueshme.

Një marrëveshje mbi sistemin, është përmbyllur me Shtetet Anëtare në prill, por eurodeputetët dhe Banka Qendrore Europiane, duhet të përcaktojnë mënyrën, se si mbikëqyrësi i BQE do të jetë përgjegjës dhe transparent në një formë demokratike.

Sistemi i ri i Mbikëqyrjes, implikon transferimin e pushteteve të mbikëqyrjes bankare nga niveli kombëtar në nivel evropian. Kjo është arsyeja, pse gjatë procesit, eurodeputetët dhe shumë parlamente kombëtarë, kanë insistuar mbi faktin, se një transferim i tillë pushtetesh, ka nevojë për një kontroll demokratik të adaptuar për Mbikqyrësin e ri.

Sipas legjislacionit dhe marrëveshjes ndërinstitucionale që e shoqëron, të kryer midis Parlamentit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, Parlamenti do të ketë një liri të madhe aksesi ndaj informacioneve.  Më i rëndësishëm është fakti se, dispozitat parashikojnë që Parlamenti të marrë dosje komplete dhe domethënëse të mbledhjeve (të Komitetit të Mbikëqyrjes) që do të lejojnë të kuptohen shqyrtimet në proces, kryesisht lista e komentuar e vendimeve. Presidenti i Komitetit të Mbikëqyrjes, do të jetë pjesëmarrës në seancat periodike të parlamentit.

Me synim përforcimin e përgjegjësisë, Parlamenti mundet, së bashku me Këshillin të caktojë Presidentin dhe Zv. Presidentin e Komitetit të Mbikëqyrjes, si edhe të kërkojë heqjen e tyre. Ai do të jetë gjithashtu i autorizuar, të kryejë hetime mbi gabime të mundshme të kryera nga Mbikëqyrësi. Së fundmi, eurodeputetët mund të pyesin vetë Mbikëqyrësin me shkrim dhe të marrin një përgjigje të shpejtë.

Ndërmjet fushave të tjera kyçe, ku Parlamenti Europian ka pësuar ndryshime janë:

– një rol në rritje të parlamenteve kombëtarë

– një akses më të mirë ndaj dokumenteve për autoritetet evropiane të mbikëqyrjes, përballë bankave

– kushte pjesëmarrje tërheqëse për vendet, që nuk janë anëtare të zonës euro.

-ndarje strikte e personelit të Bankës Qendrore Europiane midis politikës monetare dhe mbikëqyrjes, me synim që të sigurohet se  organi i survejimi të BQE-së, të jetë realisht përgjegjës për këto akte.

-përforcimi i Autoritetit Bankar Europian, në raport me BQE, që do të ketë në disponim gjithashtu mjete më të mira për të ndërmarrë  teste rezistimi dhe për të marrë informacione

-vënia në jetë e një kulture më uniforme e mbikëqyrjes bankare, duke siguruar gjithashtu diversitetin e sektorit në BE./im.ta/