Deputeti i LSI-së Nasip Naço ka bërë gati kallëzimin për Prokurorinë, ndërkohë që ka lajmëruar se, dosja me abuzimet përkatëse do të dërgohet edhe në zyrat e OSBE-së.
Opozita ka denoncuar ditët e fundit presionet e forcave policore, sidomos në qarkun e Kukësit, ku nën akuzë për këto akte ndalimi, shoqërimi për në polici dhe bastisje shtëpish të opozitarëve, është vënë Ministri i Brendshëm Flamur Noka. Ndërkohë që po në Kukes, nën këtë klimë ka deklaruar dorëheqjen Shefi i Policisë, i gjendur nën presione të forta nga SHKB.
Në një Koferencë të përbashkët për shtyp paradite, kreu i opozitës Edi Rama së bashku me Kreun e LSI-së Ilir Meta i ka bërë thirrje Berishës të tërheqë forcat policore nga sulmet e tyre dhe të pranojë kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Si rrallë ndonjëherë në terren ditën e dielë do të gjenden 9 mijë vëzhgues, kur rreth 400 persona i përkasin vetëm OSBE/ODHIR-it. Në terren në funksionin e vëzhguesve do të gjenden edhe stafet e ambasadave të vendeve të ndryshme përfshirë edhe atë amerikane.
Lëvizje këto që dëshmojnë për vënien në dyshim të kryerjes sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.