Partia Civile kërkohet referendum për armët kimike

45

yesnoTashmë që mundësia e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, po shihet si një alternativë e mundshme, grupe për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur protestat.

Krahas kësaj, një parti e panjohur ka dorëzuar një kërkesë për referendum në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë për Partinë Civile.

Në qëndrimin e saj, kjo parti thotë se, janë kundër sjelljes, çmontimit dhe asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri, për rrezikshmërinë e madhe të kësaj çështjeje si dhe mungesën e kapaciteteve për të realizuar këtë projekt.

Pavarësisht kërkesës, mbajtja e referendumit në Shqipëri vazhdon të mbetet një “mollë e ndaluar”. Deri tani një i tillë është mbajtur vetëm për miratimin e Kushtetutës si edhe për kthimin e Monarkisë.

Shembulli më i mirë ishte nisma për ndalimin e importit të plehrave. Ligji u miratua në vitin 2011, ndërsa pas shumë peripecive ligjore, në fund Presidenti dekretoi mbajtjen e referendumit për këtë çështje më 22 dhjetor 2013-të.

Kushtetuta për Referendumin 

 Neni 150

1.   Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.

2.   Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

3.   Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

Neni 151

1.   Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.

2.   Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.

3.   Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.

Neni 152

1.   Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2,  nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.

2.   Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150  paragrafët 1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.

3.   Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë.