Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore.
Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore
Kështu ka magjepsur edhe Catherine Bohn, duke bërë të dashurohet jo vetëm me Alfredin, djalin shqiptar, por sidomos me shkrepat e lëndinat, kthjelltësinë e ujit, freksinë e ajrit dhe mikpritjen e malësorve.
Një udhëtim që ka nisur bukur jetën e amerikanes e jo vetë. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura.
Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Të bësh një udhëtim në vjeshtë, në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë,i cili tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.
Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës.
Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës.
Çfarëdo aspekti që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujrash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka mundur të ndryshkë vetëm shkurret e shpateve të thyera, duke e kthyer peisazhin në një spektakël të vërtetë gjyrash -nuanca të së kuqes – që pasqyrohen mbi syprinën e gjelbër të liqenit.
Lugina e Valbonës ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në lindje të masivit malor të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës. Lugina nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, prane digës së hidrocentralit të Fierzës.
Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 km. Valbona ndodhet 25 kme larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës.
Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa rruga është e paasfaltuar. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushte me shpate të thepisura e Klisyrës.
Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, më kulla guri 100 e 200 vjecare, madje dhe më të vjetra. Në të të rrjedhës së Valbonës ndodhët një ujvarë disa dhjetra metra e lartë, që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, ndodhet shpella e Bajram Currit.
Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët për të pranuar magjepsjen, janë kthyer ta vizitojnë sërish. Por deri më tash nuk kishte ndodhur ndonjëherë që vizitorët të mbeteshin përgjithmonë aty. Kjo ndodhi me Catherine Bohn, që erdhi nga Amerika e largët e u “shitua prej zanave”, të këtij vendi të egër.
Zanat e maleve shkundën shkopin e tyre magjik mbi kryet e Alfredit dhe malësori e magjepsi vajzën aq sa ajo nuk donte të shkonte më në Amerikë, por donte të rrinte aty, mes shkrepave e lëndinave ku ai kishte shtëpinë, e jetonte me vëllezërit e nënë Sosen.
Ndonëse thjesht me xhinse e atlete, e jo me veshje tradicionale e kësulë të bardhë mbi kokë, efekti tek Catherine ishte i njëjtë, ajo u dashurua me këtë djalë dhe vendosi të jetonte me të aty mes maleve, duke braktisur përgjithmonë tokën e premtuar.
Të flasësh sot për Valbonën, është e pamundur të mos përfshish në rrëfimet e tua Alfredin dhe Katerinën, të ciltët jo domosdoshmërsht por natyrshëm, janë njerzit e parë që ju presin sapo shkelni në Valbonë, nëse keni ardhur aty për të gjetur mikpritje dhe aventurë.
Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtosh shtatë orë nga Tirana. Pjesa kryesore e udhëtimit, është segmenti Tiranë-Bajram Curri, që përfshin edhe udhëtimin me traget nëpër liqenin e Komanit.
Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit, janë të paharrueshme.
Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigante të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit.
Udhëtimi me traget zgjat dy orë e gjysmë dhe kushton 300 lekë të reja, ndërsa udhëtimi nga Tirana në Bajram Curri me furgonat e linjës, kushton 1000 lekë të reja. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës, shkohet me mjete të tipit 4 x 4 por edhe me furgonë të linjës, bileta e të cilëve kushton 150 lekë të vjetra.