Nietan: Mbyllja e derës së BE për Europën Juglindore nxit nacionalizmin

64

dietmarNëse Bashkimi Europiani mbyll derën për Europën Juglindore, kjo do të nxisë nacionalizmin, rindezjen e konflikteve dhe radikalizimin në popujt e këtyre vendeve. Kështu ka deklaruar Dietmar Nietan, deputeti socialdemokrat në komisionin e Bundestagut për politikën e jashtme e çështjet e BE-së, teksa ka folur në një intervistë për DW mbi dështimin e statusit kandidat për Shqipërinë dhe besimin në aftësimin e vendit në qershor 2014. Megjithatë Nietan, është shumë i qartë kur thotë se kriteret për anëtarësim duhen plotësuar.

“Po qe se paralizohen përpjekjet e BE-së për të ndihmuar këto vende të vijnë në BE pra, të paralizohet perspektiva e integrimit, njerëzit do të zhgënjehen, do të ndjehen të mashtruar, sepse atyre iu është premtuar gjithmonë, po qe se bëni reforma, jeni përzemërsisht të mirëseardhur, kjo do të kishe si pasojë që njerëzit do t’i kthenin kurrizin Europës. Harrojeni Bashkimin Europian. Dhe alternativë pastaj bëhet nacionalizmi, rindezja e konflikteve dhe radikalizimi. Kjo duhet ndaluar, prandaj apeloj ndaj partnerëve politikë në Europë që të mos heqin dorë nga premtimi për zgjerimin e BE-së në Europën Juglindore. Por ky premtim ka edhe anën tjetër, kriteret për anëtarësim duhen plotësuar”.
Deputeti socialdemokrat në komisionin e Bundestagut shprehet se kriza ekonomike që po kalon Eurozona nuk duhet të ndikojë në stopim të zgjerimit të BE.

“Nuk ka kohë të gabuar për zgjerimin. Në Këshillin Europian në Selanik në vitin 2003, ne vendosëm e premtuam se po qe se vendet e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor zhvillohen, bëjnë reforma, shtetet e ish-Jugosllavisë arrijnë në një proces pajtimi, atëherë dera për në BE është e hapur. Kjo nuk ka për të ndryshuar dhe nuk duhet krijojmë përshtypjen se nuk duam t’i kemi këto vende në BE. Sigurisht në kohë krize ka shumë njerëz që kanë frikë nga zgjerimi i BE-së, por ne si politikanë duhet t’i bindim njerëzit që zgjerimi i BE-së nuk paraqet ndonjë rrezik për ta, në vend që të themi për shkak se ka shumë kritika le ta ndalojmë procesin e zgjerimit”.

Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në BE duket se mbeten preçedent negativë në sytë e bllokut europian, çfarë i bën ata më hezitues dhe kritikë përkundrejt Ballkanit Perëndimor. Por Nietan thekson se Europa nuk zbaton standarde të dyfishta, duke ju referuar kështu dhënies së datës për negociata me Serbinë, që në bindjen e deputetit gjerman krahasuar me vendet aspirante për në BE në Europën Juglindore ka bërë përparimet më të mëdha në 18 muajt e fundit.

“Mendoj se edhe për vende të tjera nuk është e lehtë, të marrim Malin e Zi, që gjendej në rrugë shumë të mirë të integrimit, ndërsa tani ka frenim. Kur Bashkimi Europian e shikon me sy kritik, Malin e Zi kjo ka të bëjë më shumë me përvojën që patëm me vendet që sapo përmendët ju. Tek Bullgaria dhe Rumania për arsye politike, siç themi ne në Gjermani, na u desh të mbyllnim të dy sytë, dhe të mbanim afatin e përcaktuar të anëtarësimit. Sot e dimë që ky ishte gabim, jo sepse nuk e donim Bullgarinë dhe Rumaninë në BE, por sepse ato nuk i kishin përmbushur kriteret ashtu siç duhet. Nga kjo kemi mësuar dhe jemi më kritikë.Nuk besoj, mund ta kuptoj zhgënjimin në Shqipëri, por duhet thënë hapur se Serbia krahasuar me vendet aspirante për në BE në Europën Juglindore ka bërë përparimet më të mëdha në 18 muajt e fundit. Kjo duhet vlerësuar. Por kur të hapen negociatat me Serbinë në drejtim të shtetit ligjor, luftimit të korrupsionit ky vend ka një punë shumë të madhe për të bërë. Fakti që do të hapen negociatat me Serbinë, nuk do të thotë që diku ekziston një rabat politik”.

Duke ju referuar dekalaratave të fundit të liderve europianë mbi kërkesat ndaj Shqipërisë, përfshirë këtu edhe kancelaren Angela Merkel, Nietan shprehet:

“Besoj se disa nga ministrat e Jashtëm donin të prisnin, nëse hapat e duhur të filluar nga qeveria Rama do të vazhdojnë më tej. Disa gjëra që sollën vonesën e tanishme lidhen me përplasjet e vazhdueshme mes qeverisë dhe opozitës në periudhën e qeverisjes së kryeministrit Berisha, duke bërë që disa nga elitat politike në Shqipëri të merreshin më shumë me veten e tyre se sa me integrimin e vendit në BE. Shoh perspektivë të mirë nën qeverisjen e kryeministrit Rama. Unë nuk jam ministër i Jashtëm dhe ndoshta vetë personalisht do të kisha marrë një vendim tjetër, por dua të siguroj popullin shqiptar për mbështetjen dhe kam shpresë që në mes të vitit të ardhshëm Shqipëria të marrë statusin kandidat.Unë nuk jam i informuar që në ministritë gjermane në dhomat e pasme të tyre të ekzistojë ndonjë listë për kokat që duhet të bien.Mendoj se është shumë e rëndësishme të arrihet që reformat në drejtësi të vihen në jetë në praktikë, të jenë pjesë e jetës së përditshme, pra që të funksionojnë. Bëhet fjalë për funksionimin e jo që të bëhen të gjitha detyrat e shtëpisë njeherazi, kjo do të pritej në fund të procecit të negociatave. Pra duhet të ekzistojë bindja që reformat janë bërë realitet në vend. Mendoj se kur të bëhet kjo edhe kritikët e fundit do të japin dritën e gjelbër. Unë kam besim, dhe mund ta kuptoj zhgënjimin e popullit shqiptar, por dua t’u them atyre se mundimi për reformat ia vlen”.