Z. Pruitt tha të hënën se Associated Press mësoi nga Departamenti i Drejtësisë të premten se agjencia qeveritare mblodhi të dhëna për më shumë se 20 linja të veçanta telefonike të zyrave të AP-së dhe gazetarëve të saj.
Ai tha se të dhënat mbulojnë një periudhë dy-mujore në fillim të vitit 2012 dhe përfshijnë zyrat e Associated Press në Nju Jork, Uashington dhe Hartford të shtetit Connecticut.
Një raport i Associated Press mbi këtë çështje thotë se qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim pse të dhënat telefonike janë konfiskuar.
Megjithatë, raporti vëren se zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se Departamenti i Drejtësisë po kryen një hetim mbi një artikull të AP-së në maj, 2012, në lidhje me një operacion të CIA-s në Jemen për të zbuluar një komplot të al-Kaidës.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Uashington tha në një deklaratë të hënën se prokuroria është “gjithmonë e kujdesshme”, kur ka të bëjë me çështjet e shtypit, por nuk përmendi në mënyrë specifike çështjen e Associated Press./VOA/