Sipas Metës, është keqkuptuar gatishmëria e kryeministrit Rama për të biseduar lidhur me këtë çështje, duke u menduar si një përgjigje pozitive. Sa i takon marrjes së përgjegjësive lidhur me këtë çështje, Meta tha se “kjo do të ishte një përgjegjësi që mund të mbahej, ku dhe vetë shqiptarët të bëheshin pjesë e saj”.
Meta tha se, “lidhur me këtë çështje dua të shpreh bindjen se themeli i gjithë këtij keqkuptimi dhe tensioni ka të bëjë pikërisht më faktin se gatishmëria e shprehur nga kryeministri pas kërkesës, propozimit apo kontaktit për të kontribuuar është paraqitur, keqkuptuar si një përgjigje PO e mirë menduar e thelluar dhe e studiuar. Në këtë hapësirë mendoj se këtu lëviz e gjithë ngjarja.”
“Kam qenë i bindur se nëse Shqipëria do të merrte përsipër një përgjegjësi, kjo e fundit do të ishte një përgjegjësi që mund të mbahej, ku dhe vetë shqiptarët të bëheshin pjesë e saj. Nuk duhen harruar se qeveria një ndër vendimet e para ka marrë heqjen e mbeturinave dhe në këto kushte situata është komplikuar. Në këto kushte askush nuk mund të fajësojë kryeministrin për frymën e tij të bashkëpunimit me aleatët. Të mos harrojmë se Shqipëria dhe Kosova është një përfituese e madhe nga angazhimi i të tjerëve në luftën për paqe.Kështu që kemi një keqkuptim. Çdo vendim do të kalonte në mënyrë transparentë. Do kalohej në parlament do diskutohej me shoqërinë civile”, tha kreu i Kuvendit Ilir Meta.
Të pranishëm në Teatrin e Komedisë janë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, si dhe deputet të parlamentit shqiptar, dhe ambientaliste.
Në prezantimin e librit, gazetari Carlo Bollino shpjegon arsyet pse ky libër është titulluar “Heshtja e dyfishtë”.
Bollino i referohet heshtjes së protagonistëve kryesore, nga njëra anë një heshtje e qeverisë shqiptare, institucione, apo diplomacisë, dhe nga ana tjetër një heshtje edhe nga ana e negociatorëve amerikane.