Marrëveshje mbi mbylljen e përkohshme të kufijve të brendshëm të BE-së

61

drapeau-europeenShtetet Anëtare të BE-së kanë përmbyllur një Marrëveshje e cila do t’i lejojë ato të vendosin përkohësisht kontrollin e kufijve të brendshëm kombëtarë. Kjo Marrëveshje ka si synim reagimin në kohë në raste krizash apo emergjencash në kufijtë e jashtëm të Hapësirës Shengen. Realizimi i kësaj Marrëveshje vjen pas një debati të vazhdueshëm dhe shqetësues për disa nga vendet e BE-së, të cilat vazhdimisht kanë kërkuar mbylljen e përkohshme  të kufijve të brendshëm.

Negociatorët e Këshillit dhe Komisionit Europian, në bashkëpunim edhe me eurodeputetë, kanë përmbyllur një Marrëveshje, në lidhje me ‘Paketën Shengen’. Për herë të parë, ekipet e inspektimit mund të kryejnë kontrolle të papritura në kufijtë e brendshëm të Hapësirës Shengen. Marrëveshja pritet të kalojë në seancë plenare për votim në Parlament, në muajin qershor.

‘Paketa Shengen’ përfshin dy rregulla: rregulli i parë, krijon një mekanizëm vlerësimi europian të Shengenit, me qëllim përballjen me situatat kritike, ndërsa rregulli i dyti modifikon kodin kufitar Shengen, me synim fiksimin e rregullave të përbashkëta, mbi rifutjen e përkohshme të kontrollit të kufijve të brendshëm, në raste të jashtëzakonshme. 

Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström, ka deklaruar se, kjo Marrëveshje, i lejon Shtetet Anëtare që të mos procedojnë me kontrolle të pajustifikuara në kufi dhe të veprohet në raste abuzimi.

Shtetet, ruajnë mundësinë e vendosjes së përkohshme të kontrolleve në kufijtë e tyre kombëtarë, për arsye sigurie dhe të rendit publik. Shtetet Anëtare të Shengenit, kanë mundësinë të rivendosin kontrollet në kufijtë e tyre kombëtarë, për një periudhë kohore prej 6 muajsh, e cila mund të zgjatet edhe me 6 muaj të tjerë shtesë, në momentin që kontrolli i një kufiri të jashtëm të Hapësirës Shengen, nuk është më i siguruar për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme.

Gjithashtu është ngritur një mekanizëm, për parandalimin e krizave të provokuara nga një presion migracioni i pakontrollueshëm, që mund të shkaktojë një pamundësi në kontrollin e një kufiri të jashtëm të Hapësirës Shengen. Rasti konkret i luftës në Siri, me eksodin e refugjatëve midis Greqisë dhe Turqisë, ofrohet si shembull i kësaj situate. Komisioni është ngarkuar për vlerësimin e kërcënimeve potenciale dhe ka mandat për të propozuar futjen e kontrolleve të kufijve. Por, gjithsesi, marrja e vendimit dhe vënia e tij në jetë ngelet në përgjegjësinë e vetë shteteve anëtare. Mekanizmi do të jetë nën survejimin e Komisionit Europian dhe inspektorët do të kryejnë vizita të papritura në kufijtë e brendshëm, me ndihmën edhe të agjencive të specializuara, si Frontex, agjenci, që koordinon kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së.

Aktualizimi i kësaj Marrëveshje, ofrohet pas logjikës insistuese të BE-së, për të mos lejuar Shtetet Anëtare, të vendosin në mënyrë të njëanshme mbi mbylljen e përkohshme të kufijve të brendshëm. Gjithashtu Shtetet Anëtare, vazhdimisht kanë ngritur për diskutim menaxhimin e dobët të Hapësirës Shengen, sidomos në jug dhe në lindje të BE-së.