“Partive politike dhe institucioneve vendore u takon të vendosin se sa do t’i marrin parasysh vlerësimet dhe rekomandimet tona në mënyrë që të përmbushen standardet demokratike që parashikon OSBE-ja dhe standardet ndërkombëtare. Ajo që mund të them tani është se pjesa më e madhe e vërejtjeve tona janë inkorporuar në ligjet që kanë të bëjnë me kodin zgjedhor,” është shprehur Gert Arens.
Ndërkaq organizatat vendore ende nuk kanë ndërtuar një strategji të qartë se sa vëzhgues do të ndjekin zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshmet parlamentare.
Xhabir Deralla, nga organizata joqeveritare CIVIL e cila tanimë ndjek zhvillimet gjatë disa cikleve zgjedhore, thotë se kësaj radhe do të monitorohen dhe lajmet gjatë procesit zgjedhor nga një ekip i posaçëm ekspertësh, që është në formim në kuadër të kësaj organizate.
“Gjatë proceseve të kaluara zgjedhore kemi vërejtur se informacionet jo gjithmonë krijojnë një pasqyrë objektive për zhvillimet në vend që qytetarët ta kenë të qartë situatën dhe pikërisht për këtë arsye kemi vendosur të përforcojmë kapacitetet tona në këtë drejtim, duke dalë me lajme, informacione dhe analiza të ndryshme që kanë të bëjnë me zgjedhjet që do t’i ofrohen publikut por edhe mediave”, thekson Deralla.
Teodora Popovska, nga organizata joqeveritare MOST bën të ditur se ende nuk është përcaktuar numri i vëzhguesve me të cilët do ta ndjekin procesin zgjedhor, megjithëse shpreh bindjen se MOST ashtu siç ka bërë deri më tani do të mbulojë më shumë se 40% të vendvotimeve në vend.
Organizata joqeveritare MOST zgjedhjet e fundit lokale i ka monitoruar me rreth 3500 vëzhgues dhe organizata qytetare zgjedhjet i ka ndjekur përmes 100 monitoruesve.